Kosova po përballet me probleme serioze në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, ndërsa rrezikon të mbetet prapa objektivave të Bashkimit Evropian për integrimin në rrjetin evropian të transportit deri në vitin 2030.
Kështu thuhet në raportin e publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA), e cila vlerëson se progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhjen me rrjetin transportues të BE-së po zhvillohet me ritëm të ngadaltë, për shkak të vonesave në zbatim dhe problemeve të shumta operative.
Sipas auditorëve evropianë, gjendja e infrastrukturës hekurudhore në Kosovë gjatë periudhës së auditimit ishte më e keqe sesa para fillimit të projektit të rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, e cila shtrihet nga Hani i Elezit, përmes Fushë Kosovës, deri në Leshak.
Raporti thekson se trafiku hekurudhor në këtë linjë është ndërprerë që nga viti 2020, pasi disa tunele u shembën gjatë kryerjes së punimeve. Për më tepër, nuk ekziston ende një afat i qartë për fillimin e punimeve në pjesën veriore të linjës.
“Në Kosovë, kushtet hekurudhore në kohën e auditimit ishin më të këqija se para fillimit të projektit. Trafiku është ndërprerë që nga viti 2020 sepse disa tunele u shembën gjatë punimeve”, thuhet në raportin e ECA-së.
Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se deri në qershor të vitit 2025 sinjalizimi dhe elektrifikimi i linjës hekurudhore nuk ishin vendosur ende, duke penguar funksionalizimin e plotë të projektit.
Raporti vëren se Bashkimi Evropian ka investuar mbi 500 milionë euro në projekte transporti në Ballkanin Perëndimor përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, megjithatë rezultatet janë ngadalësuar nga vonesat e shumta dhe mangësitë në zbatim.
Sipas gjetjeve të ECA-së, projektet e financuara nga BE-ja në rajon kanë nisur mesatarisht me 17 muaj vonesë, ndërsa shumë prej tyre janë përballur me shtyrje shtesë që kanë kaluar dy vjet.









