Rusia ka publikuar një video duke deklaruar se raketat me kapacitete bërthamore Oreshnik, që ka në dispozicion, kanë hyrë në shërbim aktiv në Bjellorusi, aleatin fqinj që kufizohet me vende anëtare të NATO-s si Polonia, Letonia dhe Lituania.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se këto armë janë të pakapshme sepse shpejtësia e këtyre raketave supozohet të jetë 10 herë më e madhe se ajo e zërit.
Ky pozicionim i armëve, në baza bjelloruse, i mundëson Rusisë që lehtësisht të arrijë shënjestra evropiane më shpejt. Këto raketa kanë rreze veprim rreth 5 mijë e 500 kilometra, gjë që nënkupton se Rusia mund të godasë kudo në Evropë apo në bregdetin perëndimor të SHBA-ve.
Videoja e publikuar nga të dy ministritë e mbrojtjes, ajo e Bjellorusisë dhe e Rusisë, nuk dha detaje se ku po pozicionohen raketat, por dha pamje në të cilat të njëjta mbuloheshin me rrjeta kamuflazh.
“Divizioni i raketave Oreshnik filloi përformimin e detyrave luftuese në vende të caktuara në vend”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë.









