Ukraina dhe Rusia kanë vazhduar të godasin njëra-tjetrën gjatë natës, ndërsa Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e ka akuzuar Moskën se po përdor raketa të Koresë së Veriut, raporton BBC.

Zelenskyy tha se sulmet në Zaporizhzhia – ku u vranë të paktën gjashtë persona dhe u plagosën të paktën 19 të tjerë – përfshinë raketa balistike të furnizuara nga aleati i Rusisë.

Në Voronezh, në jug të Rusisë, Ukraina goditi magazinat në pronësi të shitësit online Wildberries. Kompania, e njohur si “Amazon-i i Rusisë”, është vënë në shënjestër disa herë gjatë javëve të fundit.

Sulmet ndodhën një ditë pasi të paktën 13 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë nga sulmet me dronë ukrainas në republikën ruse të Tatarstanit, më shumë se 1 mijë e 100 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Në një videomesazh të hënën në mbrëmje, Zelensky tha se “për herë të parë” Rusia “nuk mund ta zhvillojë luftën pa përforcime nga Koreja e Veriut”.

“Sa më shumë sulme të Koresë së Veriut të ketë këtu në Ukrainë, në Evropë, sa më shumë të përdoren raketat dhe ushtarët e tyre, aq më shumë ata korrigjojnë mangësitë dhe pikat e dobëta të tyre”, tha Zelensky, duke shtuar se kjo përbën rrezik për pjesën tjetër të botës.

Në fjalimin e tij, Zelensky përshëndeti gjithashtu një sulm ajror të suksesshëm ukrainas ndaj një uzine petrokimike ruse në Siberinë Perëndimore të hënën, duke e cilësuar atë si një “arritje shumë të rëndësishme” të ushtrisë ukrainase.

Ai premtoi “më shumë sulme të thella ukrainase, të cilat duhet t’i tregojnë Rusisë dhe rusëve se paqja është e nevojshme”.

Dy gra janë plagosur nga një sulm me dron rus në Sumy, sipas Sergiy Kryvosheenkos, kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Sumyt.

Gratë, të moshës 52 dhe 66 vjeç, morën trajtim në vendngjarje, tha ai në një postim në Telegram.

Sulmet dëmtuan gjithashtu automjete civile, ndërtesa magazinash dhe objekte infrastrukturore, shtoi ai.

Ndërkohë, janë raportuar zjarr dhe shpërthime në një qendër logjistike të shitësit më të madh online në Rusi, Wildberries, në rajonin e Voronezhit.

Wildberries ende nuk e ka konfirmuar sulmin, por tha se objektet e saj në rajon, i cili kufizohet me Ukrainën, janë evakuuar.

Në korrik, sulmet me dronë ukrainas ndaj disa magazinave të shitësit Wildberries ndërprenë aktivitetin e një numri të madh biznesesh të vogla dhe të mesme ruse.

Kievi tha në atë kohë se kishte në shënjestër qendra logjistike që përdoreshin nga rusët për të blerë pajisje ushtarake dhe për të ndërprerë furnizimet për ushtrinë ruse.

Sulmi ndaj Tatarstanit këtë javë ishte një nga sulmet e vetme më vdekjeprurëse ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në Ukrainë, në vitin 2022.

Të paktën 75 persona u plagosën nga sulmet, ndërsa Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se kishin goditur rafinerinë e naftës Tanevo në qytet.

Pamje të verifikuara në rrjetet sociale treguan shtëllunga të mëdha tymi dhe flakë që ngriheshin në qiell gjatë ditës, ndërsa në sfond dëgjoheshin sirenat e alarmit ajror.

Konsullata e Uzbekistanit në Tatarstan tha se shtatë nga personat e vrarë ishin shtetas të Uzbekistanit.