Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar alarmues vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për licencimin e Radio Policisë si radio shtetërore, në formën e transmetimit eksperimental.
Në një komunikatë për media, AGK-ja ka shprehur shqetësimin se krijimi i një radioje nën drejtimin e Policisë mund t’u mundësojë institucioneve ligjzbatuese të përcjellin informacione të njëanshme te publiku, pa iu nënshtruar shqyrtimit kritik të mediave të pavarura.
Sipas AGK-së, gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësinë t’i sfidojnë qëndrimet e Policisë, të shtrojnë pyetje dhe ta mbajnë atë përgjegjëse për punën e saj.
Organizata e gazetarëve ka ngritur shqetësime edhe për mundësinë e keqpërdorimit të kësaj radioje për qëllime partiake, duke marrë parasysh se, sipas saj, sektori i sigurisë udhëhiqet nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ekziston rrezik real që kjo media shtetërore të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
Kritika ka pasur edhe për vetë KPM-në, e cila e ka dhënë licencën për Radio Policinë. AGK-ja thotw se anëtarët e këtij institucioni janë përzgjedhur përmes një procesi të komprometuar, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje kishte paracaktuar kandidatët e saj të preferuar.
Vendimin për licencimin e Radio Policisë, AGK-ja e konsideron vazhdimësi të një qasjeje të KPM-së që, sipas saj, favorizon pushtetin në dëm të informimit në interes publik.









