Mitrovica është një qytet i luhatshëm politik. Ndër vite ajo ka votuar ndryshe – është shprehur e gatshëm për ndryshim kur ka pasur alternativa serioze. Këtë herë qytetarët do të zgjedhin mes katër kandidatëve të rinj: Arian Tahiri i PDK-së, Faton Peci i Guxo/VV, Gëzim Plakolli i LDK-së dhe Qazim Nimani i AAK-së.
Realisht, gara është në mes dy të parëve, me nënkryetarin aktual të kësaj komune, Arian Tahirit, i cili zëvendëson Bedri Hamzën, dhe Faton Pecit, që hyn në garë si një figurë tejet e votuar për deputet në zgjedhjet e fundit qendrore.
Zgjedhjet e vitit 2007: Dominimi i PDK-së
Në zgjedhjet lokale të 17 nëntorit 2007, PDK fitoi raundin e parë me 8 mijë e 599 vota (36.51%), duke lënë pas LDK-në me 5 mijë e 628 vota (23.90%) dhe AKR-në me 5 mijë e 437 vota (23.08%).
Në raundin e dytë, më 8 dhjetor 2007, Bajram Rexhepi (PDK) fitoi me 8 mijë e 861 vota (56.04%), përballë Sadri Feratit (LDK) me 6 mijë e 950 vota (43.96%).
Ky rezultat shënoi fillimin e dominimit të PDK-së në Mitrovicë, duke e kthyer qytetin në një bastion të fortë të kësaj partie në Veri të Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2009: Rikonfirmimi i PDK-së me kandidat tjetër
Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, Avni Kastrati (PDK) fitoi në raundin e parë. Ai mori 11 mijë e 137 vota (39.17%). I dyti ishte Nexhmedin Spahiu (AKR), i cili grumbulloi 6 mijë e 417 vota (22.57%), ndërsa Mursel Ibrahimit (LDK), që u rendit i treti, mori 5 mijë e 556 vota (19.54%).
Në balotazhin e 13 dhjetorit 2009, Kastrati fitoi me 10 mijë e 999 vota (53.12%), kundrejt 9 mijë e 708 votave (46.88%) të Spahiut.
Zgjedhjet e vitit 2013: përmbysja befasuese e Agim Bahtirit
Në 3 nëntor 2013, Mitrovica bëri një ndryshim të papritur.
Në raundin e parë, Avni Kastrati (PDK) kryesoi me 15 mijë e 839 vota (41.84%), përpara Agim Bahtirit (AKR) me 11 mijë e 250 (29.73%) dhe Safet Kamberit (LDK) me 6 mijë e 904 (18.24%).
Balotazhi i 1 dhjetorit 2013 solli përmbysjen: Agim Bahtiri (AKR) fitoi me 17 mijë e 302 vota (52.35%), kundrejt 15 mijë e 757 (47.65%) të Kastratit.
Zgjedhjet e vitit 2017: Bahtiri mban pushtetin
Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, Agim Bahtiri (AKR) kërkoi një mandat të dytë përballë Valdete Idrizit (PDK) dhe Safet Kamberit (LDK).
Në raundin e parë, Idrizi doli e para. Mori 9 mijë e 119 vota (29.45%). Bahtiri, që u rendit i dyti, grumbulloi 8 mijë e 393 (27.11%), ndërsa Kamberi 6 mijë e 695 (21.62%).
Raundi i dytë, më 19 nëntor 2017, përfundoi me fitore për Bahtirin, pasi që mori 16 mijë e 509 vota (57.41%), kundrejt 12 mijë e 245 (42.59%) të Idrizit.
Kështu, Mitrovica mbeti nën drejtimin e Bahtirit edhe për një mandat.
Zgjedhjet e vitit 2021: rikthimi i PDK-së me Bedri Hamzën
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, PDK arriti të rikthejë komunën me Bedri Hamzën. Dhe këtë e bëri në raundin e parë.
Bedri Hamza (PDK) fitoi me 16 mijë e 556 vota (53.69%), ndërsa Agim Bahtiri, që kësaj radhe kishte garuar me siglën e Vetëvendosjes, mori 10 mijë e 654 vota (34.53%). I treti doli Armend Agolli (LDK) me 3 mijë e 636 vota (11.78%).
Fitorja e Hamzës shënon rikthimin e PDK-së në Mitrovicë pas 8 vitesh opozitë.
Zgjedhjet e 12 tetorit 2025: një garë ndryshe, me fytyra të reja
Në zgjedhjet e 12 tetorit 2025, gara në Mitrovicë duket e ashpër mes dy kandidatëve – Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të Guxo/VV-së, ndërsa dy pretendentët tjerë, Gëzim Pakolli i LDK-së dhe Qazim Nimani i AAK-së janë pa gjasa reale.
Fillimisht Peci u duk si favorit absolut në garë, por me përballjet televizive, Tahiri balancoi garën.
Mitrovica pritet që të jetë njëra nga qytetet ku gara do të jetë jashtëzakonisht e ashpër.
Mitrovica, një qytet që për më shumë se një dekadë ka qenë simbol i stabilitetit politik dhe i ndarjeve të forta, vazhdon të jetë e njëjta edhe këtë vit, me shumicën e votave që pritet të ndahen mes dy kandidatëve: Arian Tahirit dhe Faton Pecit.









