Në Prizren, qytetin e kulturës, të dielën e 9 nëntorit, do të zhvillohet një nga garat më të rëndësishme në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në balotazh përballen Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Artan Abrashi i Vetëvendosjes.

Në raundin të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Totaj doli i pari me 41.45 për qind (26,427 vota), ndërsa Abrashi e ndoqi me 30.39 për qind (19,375 vota). Pas tyre u renditën Driton Selmanaj i LDK-së me 10.49 për qind (6,686 vota), Zafir Berisha i Bashkimit Demokratik për Prizrenin me 4.90 për qind (3,123 vota), Furkan Butuci i Partisë Demokratike Turke me 3.86 për qind (2,459 vota), Emilja Rexhepi nga komuniteti boshnjak me 3.62 për qind (2,307 vota), Besnik Krasniqi i AAK-së me 3.47 për qind (2,214 vota) dhe Albulena Balaj Halimaj me 1.84 për qind (1,171 vota).

Në prag të balotazhit, koalicionet lokale kanë ndryshuar dinamikën e garës: Zafir Berisha, Emilja Rexhepi dhe Besnik Krasniqi i kanë dhënë mbështetje Artan Abrashit, ndërsa Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj Halimaj janë rreshtuar në anën e Shaqir Totajt.

Kështu, Prizreni po hyn në një tjetër duel politik, ku gjithçka është e mundur. Totaj kërkon konfirmimin e pushtetit që e mori në vitin 2021, ndërsa Abrashi synon ta rikthejë Vetëvendosjen në qeverisjen lokale — aty ku dikur Mytaher Haskuka kishte përmbysur historinë.

Zgjedhjet e vitit 2007: Fitorja e parë e PDK-së në qytetin historik

Në zgjedhjet lokale të 17 nëntorit 2007, gara për Prizrenin ishte një nga më të fortat në vend.

Në raundin e parë, LDK mori 15 mijë e 955 vota (29.13%), duke u renditur forca e parë, PDK 15 mijë e 101 vota (27.57%), ndërsa AKR 6 mijë e 088 (11.12%). Me këto rezultate, Prizreni shkoi në balotazh.

Balotazhi i 8 dhjetorit 2007 vendosi gjithçka: Ramadan Muja (PDK) fitoi me 19 mijë e 17 vota (52.83%), përballë Eqrem Kryeziut (LDK), i cili mori me 16 mijë e 977 vota (47.17%).

Ky rezultat shënoi fitoren e parë të PDK-së në këtë komunë dhe fundin e dominimit të LDK-së që nga paslufta.

Zgjedhjet e vitit 2009: PDK e mban pushtetin

Dy vite më vonë, në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, Ramadan Muja i PDK-së garoi sërish. Ai e ruajti epërsinë në raundin e parë. Mori 19 mijë e 257 vota (32.30%), ndërsa Hanefi Muharremi 17 mijë e 721 (29.73%). Vendin e tretë e mori Rushdi Rexha nga Koalicioni për Prizrenin, i cili grumbulloi 8 mijë e 311 vota (13,94%).

Balotazhi u mbajt më 13 dhjetor, por nuk u përcaktua fituesi, pasi që disa vendvotime shkuan në rivotim. Në rivotim të 1 shkurtit 2010, Muja i PDK-së, fitoi mandatin e dytë, pasi mori 53,2%, duke mposhtur Muharremin e LDK-së, i cili grumbulloi 46.8% të votave.

Zgjedhjet e vitit 2013: PDK merr mandatin e tretë

Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, Ramadan Muja (PDK) doli i pari. Ai mori 24 mijë e 791 vota (37.23%), duke lënë pas Eqrem Kryeziun (LDK), i cili mori 16 mijë e 888 vota (25.36%), ndërsa Zafir Berishën (BD) u rendit i teti, duke grumbulluar 8 mijë e 595 vota (12.91%).

Në balotazhin e 1 dhjetorit 2013, Muja fitoi përsëri me 27 mijë e 824 vota (53.78%), përballë Kryeziut, i cili mori 23,911 vota (46.22%).

Kjo fitore e tretë radhazi për PDK-në e ktheu partinë në sinonim të pushtetit lokal në Prizren.

Zgjedhjet e vitit 2017: përmbysja e madhe e Vetëvendosjes

Në zgjedhjet e 22 tetorit 2017, pas gati dhjetë vitesh qeverisje nga PDK, qytetarët e Prizrenit vendosën për ndryshim.

Në raundin e parë, Shaqir Totaj (PDK) u rendit i pari me 19 mijë e 869 vota (29.75%), ndërsa Mytaher Haskuka (Vetëvendosje) u rendit i dyti me 14 mijë e 967 vota (22.41%), i ndjekur nga Hatim Baxhaku (LDK) me 13 mijë e 55 vota (19.54%).

Balotazhi i 19 nëntorit 2017 solli një përmbysje të papritur: Haskuka (VV) fitoi me 25 mijë e 949 vota (50.36%), përballë Totajt (PDK) me 25 mijë e 577 vota (49.64%) – vetëm 372 vota diferencë që mjaftuan për të ndryshuar pushtetin pas gati një dekade.

Zgjedhjet e vitit 2021: kthesa e ngushtë në favor të PDK-së

Në zgjedhjet e 17 tetorit 2021, Prizreni u nda sërish pothuajse në mes.

Në raundin e parë, Mytaher Haskuka (VV) mori 24 mijë e 378 vota (40.41%), ndërsa Shaqir Totaj (PDK) në revansh mori 18 mijë e 919 (31.36%), dhe Anton Quni (LDK) 9 mijë e 43 (14.99%).

Raundi i dytë, më 14 nëntor 2021, përfundoi me një tjetër përmbysje: Totaj i PDK-së fitoi me 27 mijë e 689 vota (50.93%), përballë Haskukës së VV-së me 26 mijë e 680 vota (49.07%).

Zgjedhjet e 12 tetorit 2025: Totaj kërkon konfirmim e PDK-së, Abrashi rikthimin e VV-së

Në prag të balotazhit të 9 nëntorit 2025, gara në Prizren shihet si një “përsëritje” e rivalitetit midis PDK-së me Shaqir Totajn dhe Vetëvendosjes, që këtë herë përfaqësohet nga Artan Abrashi.

Totaj kërkon rikonfirmimin si Kryetar i qytetit historik, ndërsa Abrashi rikthimin e VV-së në qeverisjen e Prizrenit.

Prizreni është shembull i një qyteti që s’ka siguri elektorale – çdo katër vite pothuajse ndryshon kah, ndëshkon apo shpërblen në bazë të performancës.

Ashtu si në çdo cikël të kaluar, edhe këtë herë fituesi po përcaktohet vetëm në balotazh, aty ku Prizreni gjithmonë e shkruan historinë e tij politike.