Islanda ka votuar kundër rifillimit të bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, 13 vjet pasi ato u ndërprenë.

Transmetuesi publik i Islandës RUV raportoi se 52.8 për qind, apo mbi 225 mijë vota ishin kundër propozimit të Qeverisë, ndërsa 47.2 për qind ishin pro. Diferenca mes tyre ishte rreth 12 mijë e 600 vota.

Qeveria e qendrës së majtë e Kryeministres Kristrun Frostadottir kishte premtuar të mbante një referendum në vitin 2027, por e solli atë përpara për shkak të tensioneve ndërkombëtare, përfshirë kërcënimet e Presidentit Amerikan, Donald Trump, ndaj Grenlandës, raporton BBC.

Megjithatë, debati në këtë shtet ishullor me afro 400 mijë banorë u përqendrua më shumë te industria e peshkimit sesa te shqetësimet e sigurisë.

Me rreth 270 mijë persona me të drejtë vote, RUV raportoi se pjesëmarrja prej 82.5% ishte më e larta në çdo zgjedhje islandeze që nga viti 2009.

Islanda është tashmë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së dhe zonës Schengen pa kontrolle kufitare. Anëtarësimi i plotë në BE do ta fuste Islandën në bashkimin doganor dhe, përfundimisht, në unionin monetar të eurozonës.

Islanda e nisi aplikimin për anëtarësim në BE në vitin 2009, pas krizës financiare të vitit 2008 dhe kolapsit të sistemit bankar islandez.

Aplikimi i saj ishte tashmë në një fazë të avancuar kur një Qeveri euroskeptike erdhi në pushtet në vitin 2013 dhe i pezulloi bisedimet.

Të drejtat e peshkimit ishin pengesa më e madhe për anëtarësimin e Islandës atëherë – dhe mbeten të tilla edhe sot.

Islanda luftoi me sukses për të mbrojtur peshkimin e saj nga peshkatarët e huaj gjatë të ashtuquajturave Luftërat e Merlucit me Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1970 – pak kohë pasi fitoi pavarësinë nga Danimarka. Industria e peshkimit dhe ajo detare ende përbëjnë pothuajse 40 për qind të eksporteve të këtij vendi.

Shumë prej votuesve që votuan kundër, BBC shkruan se kishin frikë se anëtarësimi në BE do të nënkuptonte heqjen dorë nga një pjesë e kontrollit mbi zonat fitimprurëse të peshkimit, sipas politikave të bllokut që përcaktojnë sasinë e peshkut që mund të zërë një shtet anëtar.

“Pala kundër ishte shumë më e aftë për të prekur identitetin politik kombëtar të Islandës, i cili thekson pavarësinë formale, të dalë nga një luftë e gjatë për pavarësi nga Danimarka”, tha për BBC Eirikur Bergmann, profesor i politikës në Universitetin Bifrost.

“Dhe kështu, ata ishin në gjendje t’u drejtoheshin ndjenjave shumë themelore të njerëzve”.

Në anën tjetër, fushata pro anëtarësimit “zhvilloi një fushatë haptazi teknike, pa e shpjeguar asnjëherë me të vërtetë qëllimin apo pasionin përse Islanda duhet t’i bashkohet BE-së”.

Fushata e referendumit nxiti debat mbi pozitën e Islandës në botë, tha Kristrun pasi votoi të shtunën në kryeqytet.

Ajo tha në një konferencë për media të dielën pasdite se çështja e anëtarësimit në BE nuk do të rikthehej për shqyrtim gjatë kohës që Qeveria e saj është në detyrë.

Njëra prej ministreve të saj mohoi se rezultati përbënte një goditje për Qeverinë, duke iu referuar pjesëmarrjes së lartë në votim.

Kishte një ndarje të konsiderueshme gjeografike në mënyrën se si votuan qytetarët: kryeqyteti, Reykjavik, mbështeti bisedimet për anëtarësim në BE, ndërsa zonat rurale ishin kryesisht kundër tyre.

Pyetja në fletëvotim ishte “A duhet Islanda të rifillojë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian?”.

Një votë pro nuk do të kishte qenë një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE, por një hap drejt një marrëveshjeje anëtarësimi, e cila më pas do të duhej të miratohej përmes një referendumi të dytë.

Në mënyrë të ngjashme, vota kundër nuk e përjashton mundësinë që Islanda t’i rifillojë bisedimet në një moment në të ardhmen.

Ndërsa shqetësimet ekonomike dominuan fushatat e referendumit, çështjet e sigurisë gjithashtu ishin pjesë e debatit.

Islanda është anëtare themeluese e NATO-s, por nuk ka ushtri dhe mbështetet te aleatët për mbrojtjen e saj. Anëtarësimi në BE do t’i kishte dhënë asaj qasje të plotë në infrastrukturën e përbashkët të mbrojtjes së bllokut.

Islanda ka mbështetur Ukrainën gjatë pushtimit të plotë të saj nga Rusia, ndërsa zyrtarët islandezë janë alarmuar gjithashtu nga rritja e manovrave detare të Rusisë pranë ishullit.

Por, interesi i shprehur nga Trump për përfshirjen e një ishulli tjetër të Arktikut, Grenlandës, në territorin e SHBA-së ka ngritur shqetësime së fundmi.

Ministrja e Jashtme e Islandës, Katrin Gunnarsdottir, tha në konferencën për media të së dielës se pas referendumit do të kërkonte forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes së vendit me shtetet e tjera.

Megjithatë, Bergmann tha: “Debati ishte plotësisht i brendshëm, ai u thirr përpara mandatit të dytë të Donald Trump dhe trazirat e botës nuk depërtuan vërtet në këtë debat”.

Jacob Funk Kirkegaard, studiues i lartë në institutin evropian të politikave Bruegel, i tha RUV-së se BE-ja kishte dështuar “ta shiste veten”, edhe pse “qartazi do të donte ta shihte veten edhe si një aktor të sigurisë, veçanërisht në Arktik”.

Ai tha se rezultati “do të shihet si një mundësi e humbur – sigurisht për Islandën, por edhe për BE-në”.

Një diplomat i BE-së, i cili nuk u identifikua, dukej se ishte dakord me këtë vlerësim. Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se rezultati ishte “një goditje e qartë për Brukselin”, duke vënë në dukje se çështjet e peshkimit dhe pavarësisë kishin qenë vendimtare.

Fitorja e kampit kundër u prit me duartrokitje nga euroskeptikët në vende të tjera.

Lideri i Reform UK, Nigel Farage, një nga mbështetësit kryesorë të largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, tha se islandezët kishin votuar “për ta ruajtur pavarësinë e tyre”.

Marine Le Pen e Tubimit Kombëtar të Francës tha se rezultati tregonte një “të vërtetë të qartë: anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është horizonti i natyrshëm për çdo demokraci evropiane”.