Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se votimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës është meritë e qytetarëve, të cilët theksoi se për 21 ditë nuk u përkulën e as nuk u lodhën.
Kështu tha Haziri pasi që është pyetur se a është bërë plotësim-ndryshimi i ligjit për shkak të protestës apo për çështje pazaresh politike.
“Mendoj se ky ligj që u votua dje në orët e vona, është meritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, atyre njerëzve të cilët për 21 ditë nuk u përkulën e nuk u lodhën, po qëndruan. Unë iu them qytetarë të qëndresës dhe njerëz të cilët e ruajtën dinjitetin edhe identitetin tonë kombëtar”, ka thënë Haziri në Debat Plus.
Ai pohoi se ky ligj mund të cilësohet edhe si një letër atje, por theksoi se “do të jemi gardianë të këtij ligji. “Se ne jemi dëshmitarë që ka ligje që mund të jenë bukur të shkruara, por nëse nuk zbatohen…”.
Për këtë arsye, ai theksoi se “do të jemi gardianë të këtij ligji, do ta ruajmë për UÇK-në dhe do të jemi në çdo shesh e do të jemi gjithkund ku do të ketë nevojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por gjithsesi ku do të ketë nevojë edhe Republika jonë”.
Ligji për Specialen u miratua në lexim të dytë në orët e vona të së martës.









