Blerim Isufaj beson se ai është shkarkuar jo nga vota, por nga një vendim i shkruar paraprakisht. Me një interpretim krejtësisht të gabuar të përformancës së tij nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe pa ju komunikuar fillimisht akuzat.
Kështu shkruan ai në ankesën e tij që e ka siguruar VOX Kosova.
Sipas Isufajt takimi i Këshillit përfundoi rreth orës 16:10 të 2 tetorit, ndërsa vendimi nëntëfaqësh iu dorëzua atij në orën 16:35, vetëm 25 minuta më vonë.
Pra, ashiqare, vendimi ishte përgatitur para se anëtarët të votonin për shkarkimin e tij.
Të meta tjera që pretendohen se janë pjesë e këtij procesi shkarkimi – para të cilit kishte luftë të madhe politike – janë edhe statistikat që kundërshtojnë arsyetimin për performancën.
Përqindja e lëndëve të zgjidhura në Prokurorinë Speciale u rrit nga 14,33% në vitin 2023 në 23,52% në vitin 2025. Isufaj argumenton se kjo rritje bie ndesh me konstatimin e Këshillit se nuk kishte pasur përmirësim të matshëm të performancës.
Ai kundërshton edhe krahasimin e Prokurorisë Speciale me prokuroritë e tjera, duke theksuar se institucioni trajton krime lufte, krim të organizuar, terrorizëm dhe korrupsion të nivelit të lartë, përfshirë raste komplekse me shumë të pandehur dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Ajo që dihet deri tani është që ekzekutivi nuk e ka dashur këtë prokuror në krye të Speciales.
Tash, fjala e fundit i takon Gjykatës Supreme. Sepse, nëse shkarkimi i Isufajt ishte vërtet çështje performance apo rezultat i vullnetit politik, këtë duhet ta sqarojë drejtësia.








