Pas protestës së fermerëve në Drenas, opozita ka kritikuar Qeverinë për mungesë të mbështetjes ndaj prodhuesve vendorë, ndërsa Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, foli për “presione të jashtme” në sektorin e qumështit.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se është për keqardhje derdhja e qumështit në lumenj e në rrugë, duke theksuar se kjo po ndodhë “për shkak të uljes së çmimit dhe mungesës së vizionit për t’i përkrahur prodhuesit vendorë”.

“Sot po mbizotëron lajmi i ndarjes së 350 milionë eurove për organizatat joqeveritare të afërta me pushtetin dhe në të njëjtën kohë, fermerët protestojnë për mos trajtim”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Kjo situatë, në vlerësimin e tij, “nuk do koment, thjesht është marre për këtë situatë, andaj marrja e masave të menjëhershme është e vetmja zgjidhje”.

“Kujtojeni taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe rritjen e vlerës së prodhuesve tanë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke e komentuar konferencën e Ministrit Muja, ka thënë se nuk ka ligjëratë që e ndihmon sektorin e bujqësisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami tha se Qeveria duhet ta subvencionojë qumështin.

“Qeveria duhet ta subvencionojë qumështin – krejt zinxhirin: fermerin, përpunuesin dhe tregtarin, deri në masën që qumështi vendor të bëhet konkurrues në treg në krahasim me atë të importuar”, shkroi ajo.

“Dallimi në çmim duhet të jetë deri në 20 cent/litër; atëherë konsumatori e zgjedh qumështin vendor. Këto masa duhet të vazhdojnë deri në konsolidimin e sektorit. Njëjtë duhet të veprohet edhe me produkte të tjera”.

Pas protestës së fermerëve të Drenasit, të cilët derdhën qumështin në kanal për shkak të uljes së çmimit të blerjes, Ministri Muja deklaroi se institucionet kanë identifikuar “zhvillime shqetësuese” në treg.

Ai theksoi se sektori i qumështit në Kosovë po përballet me presione të jashtme, duke ngritur dyshime se yndyrat shtazore po zëvendësohen me yndyra bimore dhe qumësht pluhur.

“Sektori i qumështit është duke u përballur me presione të jashtme. Zakonisht tendenca është për ta ndryshuar përbërjen yndyrore, yndyrat shtazore me yndyrat bimore. Ajo çfarë më herët është nxjerrë nga qumështi për të prodhuar yndyrë shtazore, ka një tendencë që ajo të zëvendësohet me yndyrë bimore, me vaj palme edhe me qumësht pluhur”, ka thënë Muja në një konferencë për media të dielën.