Qumështorja “Vita”, ka reaguar pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka tërhequr një seri të qumështit, pasi sipas tyre është tejkaluar niveli maksimal i aflatoksinës. Sipas “Vita”, “mënyra se si po zhvillohet kjo situatë ngre dyshime serioze për trajtim të padrejtë dhe veprime të mundshme të qëllimshme kundër kompanisë”.
“Vita” thotë se në të gjithë historikun e veprimtarisë së saj, nuk është përballur me asnjë rast të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve.
“I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t’i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në reagim, duke bërë thirrje që të ketë transparencë në rezultatet e analizave laboratike.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në një njoftim të lëshuar të hënën e 17 nëntorit, ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi sipas AUV-it analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin e prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA), në paketim prej një litri, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027.
Analizat e kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë kanë konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.









