Në veriperëndim të Zvicrës, në qytetin e Solothurnit, politikanë nga Kosova e Serbia u bënë sërish bashkë, fshehurazi, larg syrit të publikut.
Takimi, nga informacionet që siguroi VOX Kosova, u mbajt mes datave 24 dhe 26 prill të vitit 2026.
Organizatori i diskutimeve, Organizata CIG, si asnjëherë më parë, kësaj radhe – fshehu emrat e pjesëmarrësve, e i vetmi detaj që dha ishte se prezentë ishin figura nga partitë politike kryesore në Kosovë e Serbi.
Të mbyllur për informacione, ishin edhe kur VOX Kosova ua kërkoi listën e politikanëve kosovarë e serbë që u ulën në një tryezë.
“Çdo informacion publik lidhur me takimin e Solothurnit më 24–26 prill 2026 është i disponueshëm në faqen e internetit të Council for Inclusive Governance. Nuk kemi asgjë tjetër për të shtuar përtej informacionit që është dhënë tashmë aty”, i tha VOX-it, organizata CIG.
Dokumenti i dalë nga takimi tregon se temë diskutimi aty ishin Asociacioni e Ligji për të Huajt.
Përveç që takimet u mbajtën fshehurazi, është i befasishëm fakti që të fshehtë organizata mban edhe emrat e pjesëmarrësve.
Por kjo e ka një arsye.
VOX Kosova raportonte ekskluzivisht për ecjet në qoshet e Solothurnit mes ish-shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, me politikanen radikale serbe, Sanda Raskovic Ivic.
Apo të tjerat, ku zyrtarë të pushtetit e opozitës takoheshin me ministra të partisë së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në korridoret e heshtura e qoshet diskrete të Solothurnit, larg kamerave, dialogu vazhdon të zhvillohet në mënyrën më pak transparente të mundshme.
Dhe jashtë atyre mureve, mbeten vetëm hamendësimet për atë që është thënë brenda.








