Ukraina është gabim për Kosovën, ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa i ka quajtur për “turp” qëndrimet kundër shtetit ukrainas, i cili po përballet tash e 4 vjet me agresionin rus.
Këto komente, Rama i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pasi që Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nga Beogradi, në krah të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës.
Pas kësaj deklarate të Zelenskyy-t, pati reagime të ashpra nga Kosova dhe Shqipëria. Në Prishtinë u hoq flamuri gjigand në qendër të kryeqytetit me mbishkrimin “Free Ukraine” (Ukrainë e Lirë). Në Tiranë, disa persona brohoritën kundër Presidentit ukrainas, derisa mbuluan edhe emrin e rrugës “Ukraina e Lirë”, duke e vendosur mbishkrimin “Dardania”, toponim historik për Kosovën.
Thirrjet kundër Ukrainës, Ramës nuk i kanë pëlqyer, duke thënë se e drejta e saj për të qenë e lirë është e padiskutueshme.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë”, shkroi Rama.
Ai përmendi disa prej reagimeve që erdhën pas deklaratës së Zelenskyy-t, me të cilat nuk është pajtuar aspak.
“Miku im i dashur, Volodymyr Zelenskyy, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zhurmshëm popullorë në Tiranë dhe Prishtinë tashmë po nxirrnin kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së brohorituri për të lirët dhe së vajtuari për të bombarduarit. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën edhe për Rusinë!”.
“Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me kthim shpërblimesh”, shtoi.
Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë, Kryeministri shqiptar theksoi se “nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”.
“Nuk është një favor që këmbehet me një favor tjetër, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme. Dhe fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i ka borxh kujt, por është Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj në liri, demokraci dhe paqe, si dhe përmes fuqisë së shembullit të saj”.









