Mbrëmjen e së mërkurës, Kombëtarja e Kosovës shënoi fitore kundër Sllovakisë me rezultat 3:4, duke siguruar kështu kualifikimin historik në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026.

Por, para se kjo të ndodhte, Kryeministri i Kosovës u kishte premtuar lojtarëve dardanë një shpërblim prej 500 mijë eurosh në rast të fitores në Sllovaki.

Vartësi i Kurtit, Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mëngjes shkroi se kjo shumë do të ekzekutohet të hënën.

“Mirëmëngjes fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë eurosh për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, shkroi Murati.

Mbrëmë, pas përfundimit të lojës, ishte Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili postoi një fotografi nga stadiumi në Bratisllavë me mbishkrimin: “Qiti paret, kryeministër”.

Ndeshja e radhës e Kombëtares së Kosovës me atë të Turqisë është më 31 mars dhe, në rast të një rezultati pozitiv në këtë lojë, Kryeministri Kurti premtoi 1 milion euro shpërblim për futbollistët.