Të gjithë ishin çuditur se si Albin Kurti arriti të gjejë shtëpi me qira në zemër të Prishtinës me veç 250 euro.

Shtëpinë, për këtë çmim simbolik, ia lëshoi Blerim Zagragja.

Por çmimi real i qirasë së kësaj shtëpie disakatëshe del të jetë shumë më i madh. Ama shuumë më i madh.

Vox Kosova ka kuptuar se burri i mbesës së pronarit të kësaj shtëpie, ku jeton Albin Kurti, Taulant Gashi, fiton tenderë disamilionësh nga institucionet e Kosovës.

“Bora Dental” është kompania që Taulant Gashi, burri i Jeta Zagragjës, e ka bashkë me dy veta të tjerë dhe kjo kompani e fitoi tenderin prej 1.72 milionë eurosh nga Qendra Klinike Stomatologjike e Kosovës.

Tenderi u fitua për furnizim me autoklava, njësi stomatologjike, tavolina laboratorike dhe sistem qendror të thithjes.

Pra, Taulant Gashi, fituesi i tenderit dhe dhëndri i familjes Zagragja, është i martuar me Jeta Zagragjën, e cila është mbesa e Blerim Zagragjës, pronarit të shtëpisë ku jeton me qira kryeministri Albin Kurti.

Mund të ketë qenë ky tender arsyeja, por raporte të afërta me Jeta Zagragjën ka edhe vetë kryeministri Kurti.

Kjo është një fotografi e bërë në zyrat e kompanisë së Jetës në Çikago, ku për vizitë i kishte shkuar kryeministri Kurti, ose qiramarrësi Albini.

Kur mediat kishin raportuar për këtë takim të Kurtit me Jeta Zagragjën, ajo kishte reaguar duke shkruar në profilin e saj në Facebook se “kompanitë tona e as ne si individë nuk kemi marrë asnjëherë projekte apo para nga shteti”.

Del të jetë ndryshe. Del se marrin para nga shteti. Miliona.

Por, Jeta Zagragja, gruaja e Taulantit që mori tenderin nga QKSK-ja, ishte takuar me Kurtin edhe në raste të tjera.

Si ky në Davos.

Ama, se familjarët e atij që ia lëshoi shtëpinë Kurtit me qira qesharake marrin tenderë është vetëm fillimi i problemit. Ngjan se tenderi është marrë me plot parregullsi.

Sepse, çmimi i tenderit është i fryrë. Ekstremisht i fryrë.

Vetë ata, në një ankesë në OSHP për një tjetër kompani, kishin shkruar se pajisjet nuk kushtojnë më shumë se 900 mijë euro dhe se diferenca prej rreth 1 milion eurosh përbënte “vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit”.

Dhe më vonë, tenderin e njëjtë, për të cilin thoshin se mjaftojnë 900 mijë euro, e morën me 1.72 milionë euro. Pra, me fjalët e tyre, i vodhën rreth 800 mijë euro.

Kjo karrige druri, që kushton nja 200 euro, ia sollën shtetit me çmim 1 mijë e 168 euro.

Ka akoma.

Kur kompania Bora Dental e fitoi tenderin me shifrën 1.72 milionë euro, kishte kompani të tjera që kishin ofertuar me 1.2 e 1.3 milionë.

Qindra mijëra euro më pak.

Por, Kurti tregohet qiramarrës bujar dhe kompania e burrit të Jeta Zagragjës, që dikur betohej se s’merr para prej shteti, përfundoi fituese me çmime abuzuese.

Siç shihet, konkurrentët e Bora Dental nuk e kanë kuptuar specifikimin më të rëndësishëm që kompania kishte përmbushur: qiranë nën çmimin e tregut për qiramarrësin me vetëm 16 euro në bankë.