Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke e arsyetuar se për këtë çështje nuk janë konsultuar partitë politike dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetarja e Kuvendit,  Albulena Haxhiu, tha se “mos të bëjnë propozime që s’kanë ndonjë peshë, vetëm të duket që po bëjnë diçka”.

“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka qëllim vetëm me u duk që po bëjmë diçka. Mos të bëjnë propozime që s’kanë ndonjë peshë, vetëm të duket që po bëjnë diçka. Secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm për të ndërmarrë vendime të duhura dhe të drejta”, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci tha se një nismë e tillë duhet të diskutohet me ekipet mbrojtëse, pasi, sipas saj, çdo veprim i nxituar mund të shkaktojë pasoja.

“Nuk janë konsultuar për këtë nismë me partitë politike, nuk janë konsultuar as me ekipet mbrojtëse për këtë projektligj dhe është tejet e rëndësishme që ata të konsultohen. Çdo protagonizëm në këtë pikë do të na sjellë dëm në të tashmen dhe në të ardhmen”, tha Haxhiu.

Gjithsesi, Haxhiu ka konfirmuar se projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e ka dërguar në Qeveri për mendim.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.