Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka realizuar një aksion policor në Prishtinë dhe në Pejë, ku janë arrestuar shtatë persona.

Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja”, “posedimi”, “shpërndarja” dhe “shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “pastrimi i parave”.

“Ky aksion, i koduar me emrin ‘Qielli i Thyer’, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë.

Të pandehurit dyshohet se kanë përdorur “aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar ‘SkyECC’, për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”.

Siç njoftohet, janë gjetur dhe sekuestruar disa prova materiale dhe pasuri të specifikuara.

“638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë, 1 peshore për matjen e lëndëve narkotike, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, 7 armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar”.