Kanë kaluar shtatë vjet që kur David Byrne publikoi albumin e tij të fundit solo, American Utopia. Në këtë periudhë ndodhën aq shumë gjëra sa është e lehtë të harrosh se fillimisht albumi u prit me reagime të përziera. Kishte lëvdata për qasjen e tij ekspansive dhe eksperimentale: këngë të ndërtuara mbi ritme nga Brian Eno iu dorëzuan një game të gjerë producentësh për t’i riformësuar, e më pas Byrne përzgjodhi versionin final. Pjesë e një projekti më të madh multimedial të quajtur Reasons to Be Cheerful, albumi synonte të sillte frymë pozitiviteti. Por, pati edhe kritika: disa e panë si një heqje dorë naive nga përgjegjësia në kulmin e Presidencës së parë të Trump. Ndërkohë, recensionet respektuese për karrierën e gjatë bashkëjetonin me indinjatën për mungesën e kontributit femëror.

Reagimet e përziera kanë qenë normale për karrierën e Byrne pas Talking Heads. Ai ka ndjekur një rrugë prej zhytjes në muzikën latino-amerikane, opera dhe trip-hop, bashkëpunime me producentë dance dhe me St. Vincent – por asnjëherë me sukses aq të madh sa të errësonte trashëgiminë e grupit. Pastaj, ndodhi diçka e pazakontë: shfaqjet live të American Utopia, që përdorën teknologji dhe koreografi të avancuar për të shembur konvencionet e një koncerti rock, morën lëvdata të entuziazmuara. Një tur që nisi në teatro të vegjël – përfundoi në arena gjigante, u shndërrua në një shfaqje Broadway, solli dy albume live – njëri madje mori emrin nga një kritik që e quajti Shfaqja më e mirë live e të gjitha kohërave – dhe një film të drejtuar nga Spike Lee.

Kështu, Byrne vjen me Who Is the Sky? në kulmin më të lartë të reputacionit të tij në 35 vjetët e fundit. Albumi braktis qasjen e fragmentuar të American Utopia për një bashkëpunim më të drejtpërdrejtë: i gjithë projekti u regjistrua me orkestrën 12-anëtarëshe Ghost Train Orchestra nga Brooklyn dhe producentin e Harry Styles, Kid Harpoon. Por, synimi mbetet i njëjtë: më shumë optimizëm muzikor me ngjyra të gjalla. Për këtë qëllim përdoren tinguj të ndryshëm – bori Mariachi në What Is the Reason for It?, orkestrime me ngjyrë filmash hollywoodianë të viteve ’40 në A Door Called No, ritme që lidhin kroshet kubane me Faith të George Michael në Don’t Be Like That, ose një soul i çuditshëm me vocoder, frymëzuar nga bashkëpunëtori i dikurshëm i Byrne, Thom Bell, në I’m an Outsider.

Duke qenë se viti 2025 ka qenë deri tani i zymtë, më shumë se 2018, është e kuptueshme pse Byrne mendon se bota ka nevojë për pozitivitet. Dhe Who Is the Sky? shpesh tingëllon fantastik. Aranzhimet janë të shkëlqyera, sidomos kur mbështeten nga goditjet prej druri të kontrabasit. Këngët janë shpesh melodikisht të forta. Kulmi i Everybody Laughs, me Byrne dhe St. Vincent që shpërthejnë mbi një sfond të shënjuar nga marimba, është gëzim i pastër, ashtu si edhe ndryshimet harmonike në mbylljen The Truth. When We Are Singing funksionon bukur me përzierjen e një linje kitarë që kujton (ndoshta pa dashje) Oasis dhe një ritëm funk të ngjeshur – megjithëse mund të diskutohet nëse vërtet kishte nevojë për mjaullimat spontane të Byrne.

Këto mjaullima theksojnë edhe problemin kryesor të albumit: teksti shpesh anon nga shakaja. Kjo funksionon kur shakatë janë me të vërtetë qesharake – si në Moisturizing Thing, ku kremi kundër plakjes e kthen protagonistin në dukje në një trevjeçar, duke sjell replika të bezdisshme dhe kërkesa të vazhdueshme për ID nëpër bare. Ose, kur mbartin një nëntekst më serioz: burri që i këndon me pasion apartamentit të tij në My Apartment Is My Friend mund të jetë lehtësisht një i izoluar; personazhi i hutuar nga njohuritë e partneres për filma, letërsi e natyrë njerëzore në She Explains Things to Me të kujton vetëdiagnostikimin e Byrne për autizëm.

Në raste të tjera, si tek I Met the Buddha at a Downtown Party ose The Avant Garde, duken si përpjekje të sforcuara për ta bërë atmosferën më të lehtë. Po ashtu, optimizmi ndonjëherë shfaqet i ëmbël deri në naivitet, pa ndonjë hije errësire. Në këtë aspekt, The Truth mund të dëgjohet si një himn dashurie ose si një pranim se e vërteta është gjithnjë e më e lëvizshme në një botë dezinformimi: “E vërteta s’mund të më lëndojë, e di çfarë di.” When We Are Singing të paktën pranon gjendjen e zymtë – “kemi një këmbë në portat e parajsës dhe një tjetër në flakë” – ndërsa i këndon fuqisë shëlbuese të muzikës.

Është e vështirë të mos kesh ndjenja të përziera për Who Is the Sky?: një lloj normaliteti për Byrne. Por, ndoshta ia vlen të mbahet mend përvoja me American Utopia. Byrne ka sugjeruar se turneu i ardhshëm do të kombinojë “art vizual, tregimtarinë dhe muzikën në një shfaqje të vetme mbresëlënëse”. Duke gjykuar nga ajo që ndodhi herën e kaluar – një album i mirë që u shndërrua në madhështi në skenë – kjo tingëllon intriguese: një arsye për të mbetur optimist. (The Guardian)