Një seri kërcënimesh të rreme me bombë kanë goditur linjat ajrore evropiane, nga Irlanda deri në Bullgari, të enjten në mëngjes për herë të dytë këtë javë, ku të paktën 25 fluturimet e prekura bënë ulje të detyruara ose u shoqëruan nga avionë luftarakë.
Edhe pse asnjë shtet nuk ka hedhur akuza direkte për kërcënimet, ato vijnë në një kohë kur shumë zyrtarë evropianë kanë akuzuar Rusinë se po organizon sabotazhe dhe “sulme hibride”, shpesh herë me kosto të ulët, lehtësisht të mohueshme dhe që nuk pritet të shkaktojnë një përgjigje të armatosur.
Danimarka, Polonia dhe Rumania, të gjitha të prekura nga ndërprerjet e së enjtes, e kanë akuzuar më parë Moskën drejtpërdrejt, ndërsa Gjermania e fajësoi Rusinë për një sulm në aeroportin e Lajpcigut në muajin gusht, shkruan Reuters.
Britania e ka fajësuar Rusinë në të kaluarën, por e lidhi Iranin me një komplot të dyshuar për sulm ndaj një baze ajrore amerikane. Si Rusia ashtu edhe Irani mohojnë çdo përfshirje.
Eric Schouten, drejtor i grupit të sigurisë së aviacionit “Dyami”, u shpreh se shumica e vendeve të prekura e mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.
“Në aspektin gjeopolitik, mendoj se duhet të shqyrtohet gjithmonë skenari i luftës hibride, ku një vend në këtë mënyrë, sot po flasim për Rusinë, apo jo? – na sulmon në fronte të shumta, nga hekurudhat te supermarketet dhe bankat së fundmi. Sektori i energjisë, i internetit dhe ai i aviacionit janë ndër to,” tha ai.
Forcat ajrore të Bullgarisë njoftuan se avionët e tyre luftarakë kishin shoqëruar tre aeroplanë deri në tokë. Zyrtarët thanë se avionët e “Ryanair” nga Kopenhaga dhe Madridi drejt Sofjes u ulën sipas planit, ndërsa një fluturim nga Londra në Sofje u devijua për në Plovdiv, qytetin e dytë të Bullgarisë.
Autoritetet spanjolle morën tre kërcënime me bombë përmes email-it brenda më pak se 20 minutave, që nga rreth orës 09:00, të cilat përfshinin dy nisje të “Air Europa” nga Madridi në Paris dhe katër fluturime hyrëse të “Iberia”-s nga Roma dhe Milani, tha Garda Civile e Spanjës.
Disa avionë u ndaluan ose u kthyen në vendqëndrimet e tyre dhe pasagjerët zbritën ndërsa mjetet fluturuese po kontrolloheshin.
Dy fluturime të “Easyjet” nga Britania, një fluturim nga Irlanda dhe një nga Greqia u ulën sipas orarit në Pragë, pasi kishin marrë kërcënime me bombë. Policia e Çekisë bëri me dije se e kishte vlerësuar si të ulët besueshmërinë e kërcënimeve.
Forcat ajrore të Italisë shoqëruan një avion të “Finnair” që vinte nga Helsinki drejt uljes së tij të planifikuar në Romë, sipas një burimi të afërt me çështjen. Operatori i aeroportit të Romës tha se nuk kishte pasur ndërprerje në shërbime.
Një tjetër fluturim i “Finnair” nga Helsinki, i operuar nga “Jettime”, u ul normalisht në Vjenë pasi mori një kërcënim me bombë, njoftoi “Finnair”.
Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi se dy avionë ishin ulur të sigurt në Milano pasi kishin marrë kërcënime.
Një fluturim i “LOT” nga Varshava u ul sipas orarit në Bruksel pas një paralajmërimi sigurie, njoftoi linja ajrore polake. Ajo shtoi se në Varshavë, një fluturim i “LOT” drejt Parisit u ndal ndërsa po lëvizte drejt pistës për t’u ngritur dhe pasagjerët u transferuan në një avion tjetër si masë paraprake.
Fluturimi EI402 i “Aer Lingus” nga Dublini në Romë u ul i sigurt të enjten në aeroportin Evreux, 100 km në perëndim të Parisit, njoftoi linja ajrore irlandeze.
Ndërkohë në Danimarkë, një njësi ushtarake e çminimit kontrolloi dy avionë në aeroportin e Kopenhagës, por nuk gjeti asnjë mjet të dyshimtë, bëri të ditur policia.
Eliran Almog, drejtor ekzekutiv i firmës së sigurisë kibernetike të aviacionit “Cyviation”, u shpreh se kërcënimet e përsëritura me bombë mund të shërbejnë si për të prishur operacionet ashtu edhe për të vëzhguar se si linjat ajrore, aeroportet dhe autoritetet kombëtare reagojnë.
“Këto kërcënime ndaj aviacionit po ndodhin gjithashtu në të njëjtën periudhë me sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes së supermarketeve në të gjithë Evropën”, tha Almog.
“Shërbime të ndryshme esenciale po përjetojnë ndërprerje që sjellin kosto ekonomike dhe mund të minojnë besimin e publikut.”
Të martën, të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike (kruizer) morën kërcënime me bombë, duke shkaktuar ndërprerje në aeroportet anembanë Evropës, megjithëse nuk u zbulua asnjë mjet shpërthyes.
Gjatë kësaj jave, hakerë të panjohur fikën për herë të dytë frigoriferët në supermarketet e disa vendeve evropiane, duke prekur gjithashtu edhe bankat franceze.









