Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë së re me të si Kryeministër.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook.

“Sot, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkroi Osmani.

Propozimi për mandatimin e Kurtit si Kryeministër te Presidentja u bë më herët gjatë ditës nga Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Arbërie Nagavci.

Seanca për votimin e Qeverisë do të mbahet sot, në të cilën pritet që Kurti të zgjidhet Kryeministër i Kosovës për herë të tretë.

Para kësaj, Kuvendi i Kosovës në një seancë që filloi në ora 17:00 u konstituua. Fillimisht, Albulena Haxhiu u zgjodh Kryetare e legjislativit. Ajo mori 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime.

Më pas, u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët: Ardian Gola i VV-së, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Slavko Simiç i Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e grupit multietnik.

Për herë të parë, Kurti ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021. Por, ajo Qeveri kishte qenë jetëshkurtër, ishte shkarkuar pas disa jave.

Ai ishte rikthyer si Kryeministër në mars të vitit 2021, pasi që kishte fituar zgjedhjet me mbi 50 për qind më 14 shkurt 2021.

Kurti e pati edhe një tentativë tjetër për t’u zgjedhur në krye të ekzekutivit, më 26 tetor 2025, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, por që nuk i mori 61 votat e nevojshme.