Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se shëndetësia ka pasur regres në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai theksoi se janë rritur listat e pritjes për shërbime shëndetësore, mungesa e barnave dhe abuzimi me to.
“Mund të them që sot shëndetësia, pas gjashtë viteve të kësaj qeverisje, nuk ka bërë hapa përpara, mirëpo ka regres. Lista e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore është rritur, abuzimet me barna janë rritur edhe më shumë dhe Ligji i cili mendohej se do të rregullonte çmimet e barnave, ka bërë favorizime për kompanitë e lidhura me grupet e interesit brenda Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, Qeveria nuk ka arritur ta përmirësojë këtë sektor, por vetëm e ka përkeqësuar. “Pra, ata që e kishin gojën plot shëndetësi, nuk kanë arritur që ta përmirësojnë sektorin, mirëpo e kanë përkeqësuar edhe më shumë”.
“Qytetarët sot me të drejtë pyesin: a kanë sot shërbime më të mira shëndetësore, apo kishte para gjashtë viteve? A ka ndonjë përmirësim? Jo. Cili është motivimi i stafit shëndetësor? Pra, është nën zero, sepse kemi mbi 3 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova në qeverisjen e Kurtit”, tha ai.
Furnizimi me barna, siç thotë ai, është “më i keq që ka qenë ma herët”. Ndonëse theksoi se është rritur buxheti për barna, thotë se është rritur edhe mungesa. “Kjo na tregon se kemi të bëjmë me abuzim me blerjen e barnave, të cilat blihen me çmime të larta dhe për pasojë ka mungesë të barnave. Edhe kjo ka krijuar vështirësi për shumë pacientë dhe familjarë të tyre që detyrohen ato barna t’i blejnë nga buxheti i tyre”.
“Pas dështimit gjashtëvjeçar në sektorin e shëndetësisë, ashtu siç ka bërë gjatë këtyre gjashtë viteve qeverisja Kurti, në fund përpiqet me e mashtru qytetarin me një Ligj, i cili në formën siç është miratu është i paimplementueshëm, sepse duhet dhjetëra rregullore administrative me rregullu atë Ligj, kështu e kanë paraparë. Nuk e kanë pasur qëllimin me i implementu sigurimet shëndetësore, sepse për gjashtë vjet s’kanë bërë bash asnjë gjë për sigurimet shëndetësore”.
Kjo është më shumë, sipas tij, farsë e kësaj Qeverie, “ashtu siç ka bërë çdo herë, që përmes propagandës edhe mashtrimit me ba përpjekje që me e mbulu dështimin gjashtëvjeçar në sektorin e shëndetësisë”.
Haxhiu potencoi se gjatë këtyre gjashtë viteve ekzekutivi nuk ka arritur as qentë endacakë t’i largojë nga oborri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Çfarë mund të themi për këtë gjashtëvjeçar të kësaj Qeverie në shëndetësi? Mund të themi lirisht se për gjashtë vjet nuk ka qenë në gjendje as qentë endacakë t’i largojnë nga oborri i QKUK-së, e lëre më që të ofrojnë shërbime më të mira shëndetësore. Dhe për pasojë, e dini që janë rrezikuar pacientët edhe stafi shëndetësor. Dhe sot stafi shëndetësor në orët e kujdestarisë detyrohen me lëviz me makinë nga një klinikë në klinikën tjetër për shkak të rrezikut nga qentë endacakë”, tha ai.









