“Përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kështu ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për raportet me ndërkombëtarët.

Këto komente, Çitaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që të premten, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi rundin e parë të Dialogut Strategjik me Marko Gjuriç-in, Ministrin e Jashtëm të Serbisë, ndërkohë që Kosova vazhdon të mos ketë një dialog të tillë, pasi ai ishte pezulluar në shtator të vitit të kaluar.

“Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”, shkroi Çitaku.

Sikur të mos mjaftonte kjo, thekson ajo, “vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçëm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë”.

Këto, siç thotë ajo, nuk janë rastësi. “Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”.

Çitaku theksoi se dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. “Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Me këtë mënyrë të qeverisjes, ajo potencoi se “rrezikojmë të mbetemi në periferi”. “Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”.

“E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim”.