Hykmete Bajrami, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se do t’i përdorin të gjitha format demokratike që ta ndalin Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, dhe “mafian energjetike”, që, sipas saj, ai e mbështet.

Këto komente, Bajrami i ka bërë në një intervistë për VOX Kosova, derisa ka komentuar refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar infrastrukturën për gazin amerikan, kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nëse Qeveria vazhdon të refuzojë transparencën dhe të injorojë interesin publik, atëherë është krejt legjitime që qytetarët, bizneset dhe opozita të përdorin të gjitha format demokratike për të kërkuar llogari”, tha Bajrami për VOX-in.

Ajo kërkoi nga Qeveria që të tregojë arsyet e refuzimit të një projekti “që do ta rriste sigurinë energjetike, do ta ulte varësinë nga importi dhe do ta forconte partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Refuzimi i gazit amerikan nga Qeveria e Vetëvendosjes, për Bajramin nuk është i rastësishëm. Ajo përmend refuzimet e vazhdueshme të kësaj partie ndaj projekteve që do t’i siguronin Kosovës kapacitete shtesë të prodhimit të energjisë elektrike, duke filluar nga ContourGlobal, i cili dështoi “sepse Qeveria [Kurti] nuk ishte partnere”.

“Më pas, Qeveria e Vetëvendosjes e ktheu prapa edhe projektin e gazit amerikan, të mbështetur nga MCC me mbi 200 milionë dollarë, për të cilin vendimin e kishte marrë Qeveria Hoti. Arsyetimi ishte se Kosova nuk kishte nevojë për gaz, por për bateri”, pohon ajo.

Pas gjashtë viteve të Kurtit në krye të ekzekutivit, Bajrami thekson se “nuk kemi termocentral/ContourGlobal, nuk kemi gaz amerikan, nuk kemi bateri që u premtuan dhe nuk ka kapacitete të reja gjeneruese”.

Në vend të projekteve, deputetja e LDK-së rikujton se “kemi importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike, e gjitha kjo e paguar nga qytetarët e vendit me çmime astronomike”.

Kjo qasje e Kurtit dhe VV-së ndaj sektorit të energjisë, për Bajramin nuk ka dilemë që është në funksion të asaj që ajo e quan “mafias energjetike”.

“Pra, kjo është një qasje kundër gjenerimit vendor të energjisë dhe në mbështetje të plotë të importit/‘mafisë energjetike’”, deklaron ajo.

Të premten, Qeveria në detyrë, përmes Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i tha jo gazit të lëngshëm natyror amerikan. Sipas Rizvanollit, ndërtimi i infrastrukturës “merr kohë e kosto”, derisa përmendi gazifikimin e linjitit si projekt që duan ta shtyjnë përpara.

Por, në prizmin e Bajramit, deklaratat e Rizvanollit janë “kontradiktore dhe të pabazura askund”.

Nëse gazi amerikan “nuk qenka ekonomikisht i leverdishëm”, ndërsa flet për gazifikimin e linjitit, atëherë Bajrami kërkon që Rizvanolli t’i publikojë analizat, studimet që të shihen nga të gjithë.

“Sa kushton infrastruktura për ta sjellë gazin LNG në Kosovë? Sa kushton gazifikimi i linjitit? Cili opsion është më ekonomik për qytetarët dhe bizneset?”, pyet ajo.

“Shumë e thjeshtë, nëse i ke këto llogari, publikojë t’i shohim të gjithë”, insistoi ajo.

Ajo që dihet dhe është e faktuar, Bajrami thotë se është se për gjashtë vjet “nuk është bërë asnjë hap i rëndësishëm për ngritje të kapaciteteve gjeneruese”, derisa përmend edhe afera korruptive në tenderët për remontet.

“Për më tepër, tenderat e remonteve janë përcjellë me korrupsion e vonesa të gjata, gjë që kanë rezultuar në import enorm dhe krejt kjo në kosto të papërballueshme për qytetarë dhe bizneset”.

Prandaj, Bajrami i thotë Rizvanollit se “me të besu dikush që ke me bë gazifikim të linjitit duke ta ditur historinë, është problem”. “Jam fort e sigurt se ajo vetë nuk i beson deklaratës së tillë”.

Në adresimin e saj, Rizvanolli tha se zgjedhje më e mirë është të importohet rrymë përmes Vlorës në bazë të memorandumit të vitit 2022 me Shqipërinë.

Por, edhe këtu Bajrami ka pyetje. “Sa do të jetë kapaciteti i centralit të Vlorës? Me çfarë çmimi do ta marrë Kosova atë energji? Me çmimin e kostos së prodhimit apo me çmimin e bursave ndërkombëtare?”.

Nëse ekziston një marrëveshje me Shqipërinë që garanton kushte të favorshme për Kosovën, Bajrami kërkoi që të publikohet. “Qytetarët dhe bizneset kanë të drejtë ta dinë”.

Për çështjen e gazit amerikan, Bajrami u shpreh e bindur se LDK-ja “nuk do të ndalet, do ta vazhdojmë betejën politike dhe institucionale”.

Kjo për shkak se, ajo vlerëson se gazi amerikan “nuk është një çështje e zakonshme ditore”.

“Është çështje e sigurisë energjetike të Kosovës, e konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë dhe e mbrojtjes së interesit të qytetarëve”.

Për vite me radhë, Bajrami thotë se Kosova ka qenë “nën presionin dhe shantazhin e tregtarëve të energjisë”.

“Në vend që ta zvogëlonte këtë varësi, kjo Qeveri e ka thelluar atë duke mos krijuar alternativa të reja gjenerimi dhe furnizimi”, pohon ajo.

Deputetja kujton se këto refuzime nuk janë pa kosto: “qytetarëve po u trashen faturat, bizneseve po u rriten kostot ndërsa tregtarëve të energjisë po u trashen fitimet”.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i kishte bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror i cili vjen nga SHBA-të. Dhe atë, në formë urgjente në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.

“Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL-së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL-së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut”, thoshte Ambasada.

Sipas Ambasadës, lidhja me një projekt gazsjellësi në momentumin aktual do të shkurtonte afatin kohor dhe shpenzimet.

“Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese”.

“Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane”, thoshte e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati në një editorial të saj të publikuar më 4 qershor.

Historia, paralajmëronte Prattipati, “nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen”.

Por, dy ditë më vonë, më 6 qershor, Kryeministri Kurti hodhi poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë.

Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në RTK, një ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit.