Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se Kosovës nuk i duhet një Qeveri që prodhon kriza.

“Kosovës i duhet një qeveri normale që menaxhon zhvillimin ekonomik. Kosovës nuk i duhet një qeveri që krijon kriza, e pastaj merret me menaxhimin e tyre”, shkroi Hoti në Facebook.

Ai ka thënë se Qeveria e Vetëvendosjes i ka shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por theksoi se ata nuk mund t’i përmendin tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime.

Hoti ka listuar një sërë projektesh, duke theksuar se asnjë prej tyre nuk është përfunduar e madje disa prej tyre s’kanë nisur fare.

“Gjithë ky buxhet i shpenzuar do të mund të arsyetohej sikur të ishin përfunduar se paku disa nga projektet e premtuara: Autostrada e Gjilanit, Hekurudha Prishtinë–Durrës (të ishte nisur), Rruga dhe tuneli Prizren–Tetovë, Autostrada Prishtinë–Merdarë, Lidhja e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroporti i Gjakovës, Rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, dhe segmente të tjera më të vogla, Centrali me gaz”.

“A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar?”, pyet ai. “Absolutisht që po”, përgjigjet ish-Kryeministri.

Ai potencon edhe që ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte. “A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare”.

Hoti tregon se si do të ishte ekonomia e Kosovës në rast se këto projekte do të realizoheshin.

“Imagjinoni ekonominë e Kosovës me këto projekte të përfunduara: më i lehtë do të ishte qarkullimi i mallrave, më pak kohë dhe shpenzime do të duheshin për udhëtim nga cilido qytet për në Prishtinë, më lirë do të kushtonte energjia elektrike? miliarda euro do të futeshin në qarkullim, të cilat do të gjeneronin mijëra vende të reja pune dhe rritje ekonomike më të lartë, do të përmirësohej ambienti i të bërit biznes në Kosovë pasi kostoja e të bërit biznes do të ulej”.