Disa muaj pasi VOX Kosova dokumentoi kushtet e tmerrshme të policëve specialë në Kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë, Ministria e Punëve të Brendshme më në fund ka dhënë tenderin për interervenim në kamp.

Por, shuma që pritet të investohet është qesharake.

Vetëm 15 mijë euro për një kamp që është buzë rrënimit.

Siç tregon dokumentacioni bëhet fjalë vetëm për disa pllaka rezistente ndaj ujit, tusha silikona e shkuma.

Policia e Kosovës, me një letër standarde për tenderuesin e suksesshëm, në bazë të dokumentit të publikuar në e-Prokurimi, ia ka dhënë këtë kontratë operatorit ekonomik D&L Group SH.P.K.

Por, ju kujtohet se si kur ishte raportuar fillimisht për kushtet e kampit, përkundër se të dokumentuara me fotografi, raportimi u tentua të mohohej, duke e demantuar lajmin, madje duke iu referuar mediumit si manipulues.

Më pas, inspektimi i Inspektoratit Sanitar konfirmoi gjendjen që e kishte paraqitur VOX-i.

Qasja në Kampin “Enver Zymeri” është e kufizuar, për shkak se konsiderohet hapësirë me rëndësi të veçantë. Megjithatë, efekti i raportimit është arritur. Ajo që mbetet të shihet tani është nëse 15 mijë euro do të mjaftojnë për të adresuar problemet e grumbulluara prej vitesh në këtë kamp.

Në këtë kamp jetojnë, trajnohen, ushqehen dhe bashkëveprojnë Njësia Speciale Intervenuese, e njohur për suksesin e jashtëzakonshëm ndaj sulmit terrorist në Banjskë; Njësia Speciale Operative, e njohur si njësi elitë e trajnuar nga SHBA-të për menaxhimin e turmave dhe pjesëmarrëse në aksione të rrezikshme kundër fajdes, krimit të organizuar dhe grupeve kriminale narkotike; si dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë, e krijuar rishtazi për mbrojtjen e kufirit të Republikës së Kosovës.

Derisa pushtetarët i kujtojnë këto njësi kryesisht në momentet e suksesit, mbetet paradoksale që për renovimin e objektit ku ato kalojnë pjesën më të madhe të kohës janë ndarë vetëm 15 mijë e 635 euro.