“Po e bullizon Lupçin”.
Në këtë formë qesharake i është përgjigjur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelilit, pasi që kjo e fundit e akuzoi Qeverinë e Albin Kurtit për mungesë të investimeve kapitale, dhe e pyeti nëse vaden në Lupç të Podujevës, që u përurua me shumë pompozitet nga ekzekutivi, e llogaritë si investim kapital.
“Cilat janë investimet kapitale? Vadja a? Cilat janë investimet kapitale?”, e pyeti Kica-Xhelili Konjufcën.
“Ky është bullizim”, iu përgjigj Konjufca. “Bullizim? Vaden po e bullizoj apo?”, pyeti nënkryetarja e LDK-së.
“Po e bullizon Lupçin. Lupçin je t’u e bullizu. Ti duhesh me shku në Lupç”, tha pastaj Konjufca.
Kjo deklaratë e Konjufcës në emisionin Debat Plus që transmetohet në RTV Dukagjini, ku është duke u zhvilluar debati i nënkryetarëve të katër partive më të mëdha: VV, LDK, PDK, AAK, shkaktoi të qeshura në studio.









