Një zyrtar i Vetëvendosjes e ka lëshuar mendjen në pafundësi konspiracioni – deri në nivel qesharak.

Hysamedin Feraj, zyrtar i Vetëvendosjes në Shqipëri dhe shpesh aktiv edhe në Kosovë, pas incidentit në Skënderaj dhe zhvillimeve të mëpasshme, po mendon se kjo është një tendencë për t’iu ndarë Drenica Kosovës.

Zyrtari, që vajtonte me grusht në kokë vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, ka thënë se Sami Lushtaku – kreu i Skënderajt – po e cenon integritetin territorial të Republikës.

“Kundërshtimi i ligjit të Republikës unike mbi bazë krahinore, territoriale, dallon esencialisht nga kundërshtimi i ligjit mbi bazë qytetare. Kundër UÇK-së është kushdo, përfshirë Sami Lushtakun, që cenon integritetin territorial të Republikës! Nëse Lushtaku po synon ndarjen e Drenicës nga Republika e Kosovës, nëse brenda Drenicës e njeh veten si sovran që bën ligjin, krijon kështu një njësi sovrane përballë Kosovës. A ka drenicak që, për hir të Sami Lushtakut, kërkon shkëputjen e Drenicës nga Kosova?”, ka shkruar ai.

Feraj njihet për konspiracione të shpeshta dhe qëndrime radikale ndaj kundërshtarëve të Vetëvendosjes.

Pas një incidenti në Skënderaj, ku pretendohet se është përfshirë Sami Lushtaku me aktivistin e Vetëvendosjes, Hysni Mehani – njësitë speciale policore, kanë shkuar në mesnatë në Drenicë.

Kjo çoi në reagim të madh publik jo vetëm në Skënderaj, ku shumë qytetarë dolën në rrugë, por edhe të opinionit publik.

Lushtaku u intervistua dje për rastin.

Kryeministri Albin Kurti, që dikur si opozitar kryente veprime të dhunshme, dënoi sulmin ndaj aktivistit të tij me epitete të ndryshme.

Ai, që nuk i është përgjigjur prokurorisë për intervistim në një rast korrupsioni me rezervat shtetërore, kritikoi edhe Policinë e Kosovës për reagim të vonuar, por bëri sikur nuk dinte për shkuarjen e njësive speciale në mesnatë.