Pasi e ka kapur Radio Televizionin e Kosovës, duke vendosur në krye të tij aktivistë të Vetëvendosjes – siç është Rilind Gërvalla, dhe të tjerë me direktiva nga qeveria, tash ekzekutivi i Albin Kurtit po kujdeset që edhe ta inspektojë nga brenda televizionin publik dhe, natyrisht, të përzihet pak në skemën programore.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, që me gjasë nuk ka shumë punë në ministri, e ka vizituar Radio Televizionin e Kosovës.
Në televizionin që është i thirrur t’i shërbejë publikut, e t’i raportojë vetëm Kuvendit të Kosovës si themelues të tij, zëvendësministri ka takuar u.d. Drejtorin e Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, dhe u.d. kryeredaktoren, Venera Xhoxhaj-Adili.
Për këtë vizitë, me siguri shumë madhështore për zëvendësministrin Dugolli, u lëshua edhe komunikatë.
Dhe imagjinojeni, në takim merren vesh për skemën programore të televizionit.
“Në këtë takim u diskutua për rolin e rëndësishëm që ka RTK-ja, sidomos në mbështetjen e institucioneve të Kosovës për përcjelljen e mesazheve sensibilizuese dhe vetëdijësimin e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht gjatë këtij sezoni, për parandalimin e zjarreve”, shkruhet aty.
“Drejtuesit e RTK-së u shprehën të gatshëm që këto tema me interes publik t’i trajtojnë përmes skemave programore dhe emisioneve tematike. Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me RTK-në, do të përgatisë përmbajtje sensibilizuese me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive negative”, theksohet në komunikatë.
Në komunikatë po ashtu thuhet se bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë që edhe në të ardhmen të ketë një angazhim edhe më të madh të RTK-së në mbështetjen e fushatave të rëndësishme, si: siguria në trafik, parandalimi i keqpërdorimit të armëve të zjarrit, parandalimi i përdorimit të drogave, si dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore.
“Zëvendësministri Dugolli falënderoi zëvendësdrejtorin Gërvalla, u.d. kryeredaktoren, si dhe stafin e RTK-së për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve me interes publik, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka RTK-ja në informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje me rëndësi për sigurinë dhe interesin e përgjithshëm”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Radio Televizioni i Kosovës, që një kohë përballet me kushte të vështira, me vonesa në paga, me staf që degradohet në pozita për shkak të mosbindjes ndaj direktivave politike – apo edhe me staf që largohet nga RTK për shkak të presionit.









