Me 12 vite burgim është dënuar Ekrem Bajroviç, që sipas aktakuzës, në periudhën e luftës në Kosovë në vitet 98-99 në Istog dhe në fshatrat përreth, kishte kryer veprime të masave represive të vrasjes, basitsjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ekrem Bajroviq detyrohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 300 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.
Këtë masë e kanë kundërshtuar ashpër madje edhe e kanë quajtur qesharak dëshmitarët e masakrës së Saradanit.
Një ndër ta, Naim Elshani nga Istogu.
“Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Ky vendim është qesharak. 12 vite burgim t’i merr një kriminel ku me sytë e mi e pashë në krim, tortura, i përjetova, ku ende sot plagët më kullojnë gjak. Domethënë, është tmerr. Unë nuk pajtohem me këtë vendim. Po, besoni që mua këtë më kanë pushkatuar serbët dy herë. Sot jam duke u pushkatuar edhe nga, ndoshta edhe nga shqiptarët, nga gjykatat. Domethënë unë nuk kam sigurim, nuk kam mbrojtje, çdo ditë kërcënohem nga njerëzit që nuk ia duan të mirën Kosovës”, tha Elshani pas përfundimit të seancës e cila ishte rigjykim.









