Qeveria në detyrë ka marrë vendim të mërkurën për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE”, e themeluar në mars të vitit 2024.

KRE-ja ishte themeluar më 13 mars 2024 me vendim të Qeverisë së Kosovës, si ndërmarrje publike në pronësi 100 për qind të Qeverisë së Kosovës.

Në vendimin e atëhershëm thuhej se ndërmarrja do të funksiononte si “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” dhe se Ministria e Ekonomisë, në emër të aksionarit, obligohej të ndërmerrte veprimet e nevojshme për regjistrimin e saj.

Vendimi i ri për kompensimin e Bordit ka nxitur reagimin e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Bajrami ka kritikuar Qeverinë për, siç e konsideron ajo, krijimin e strukturës së ndërmarrjes dhe përcaktimin e kompensimeve për Bordin, ndërkohë që kapacitetet për ruajtjen e energjisë ende nuk janë në funksion.

“Qerrja para kalit, kësaj radhe në energji”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka deklaruar se prej themelimit të KRE-së, Kosova ka importuar mbi 538 milionë euro energji elektrike.

Sipas shifrave të publikuara nga deputetja, importi i energjisë gjatë kësaj periudhe është ndarë në 142 milionë euro në vitin 2024, 259 milionë euro në vitin 2025 dhe 137 milionë euro gjatë periudhës janar-gusht 2026.

“Ndërmarrja për ruajtjen e energjisë u themelua, por kapacitete për ruajtjen e energjisë ende nuk kemi. Ndërkohë, importi po vazhdon e qindra miliona euro po dalin jashtë vendit”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, vendimi i fundit për kompensimin e Bordit tregon, sipas saj, një renditje të gabuar të prioriteteve.

“Kapacitete për ruajtje të energjisë nuk ka, ndërmarrje ka, kompensime për Bordin u caktua, e importi ka arritur në 538 milionë euro”, ka shkruar deputetja.

Ajo e ka lidhur këtë me shprehjen e përdorur shpesh nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “qerrja para kalit”. “Ja fenomeni i qeverisje së tij i qerres para kalit: ndërmarrja, bordi dhe kompensimet para kapaciteteve që do të duhej t’i menaxhonin”.

Që nga krijimi i kësaj ndërmarrje, Bajrami theksoi se Kosova ka importuar 538 milionë euro energji elektrike.

“2024: 142 milionë euro, 2025: 259 milionë euro, Janar-Gusht 2026: 137 milionë euro”, paraqiti shifrat ajo të importit të energjisë ndër vite.

Në fund, Bajrami ka theksuar se Prokuroria duhet seriozisht të merret me atë që ajo e quan “mafia energjetike”, e cila, siç thekson ajo, “i shterri xhepat e një populli”.