Një grua është shqyer nga qenët në oborrin e QKUK-së.

Ju kujtohet, besoj, kur me një metaforë, duhet pranuar të shkëlqyer, me qenin topall që rri në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Albin Kurti në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2019 kishte përshkruar sistemin shëndetësor në Kosovë përmes një qeni që me zi rri në këmbë në oborrin e një spitali që e kanë lëshuar të dy këmbët në një shtet që nuk qëndron dot në këmbët e veta.

Aspak ironike, 7 vjet më vonë, me 2 nëntor të këtij viti, në orën 17 e 10 minuta në QKUK pranohet një paciente.

Anamneza thotë kështu: “Pacienti sillet në emergjencë pas kafshimit të qenit. Sipas pro anamnezës, pacienti pohon se e kanë kafshuar qentë endacakë në oborrin e QKUK, para Neurologjisë”.

Therëse deri në absurd, pas 7 vjet qeverisje, e pabesueshme se si nuk u realizua as ky premtim.

Largimi i qenit topall.

Madje tash qeni topall edhe kafshon njerëz bash në oborrin e QKUK-së ku dikur veç rrinte si simptomë e tapallimit të krejt sistemit. 

Fotografitë janë të dhimbshme e të tmerrshme.

Qeni ka kafshuar gruan e moshuar në disa vende, duke e lënë me plagë të mëdha të cilat, siç tregon përshkrimi i mjekut, duhet të kontrollohen më tej e të “konsultohet infektologu e kirurgu plastik në ambulancën specialistike”.

A ja vlen të rikthehemi edhe njëherë se çfarë premtonte Vetëvendosja për shëndetësinë para se të vinte në pushtet?

Programi i plotë është vështirë të gjendet, sepse po shënove në Google Vetëvendosje.org që është domeni zyrtar i partisë në pushtet, ku gjendej programi, tash nuk të shfaqet asgjë.

Tapallon edhe vetë faqja e Vetëvendosjes, si krejt qeverisja e saj, si qeni në QKUK.

Por, ka video të fushatës, të cilat tash koha i ka kthyer në skeçe komedie.

Qeni topall që kafshon nga figura e fushatës zgjedhore atëherë aktualisht është kthyer në diagnozë kombëtare.

Dhe duhet t’ia pranojmë, pas shtatë vjetësh qeni është i vetmi që i ka qëndruar besnik vetvetes dhe është treguar konsistent.

Për më tepër, dikur mezi qëndronte në këmbë, sot edhe kafshon.