Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka dhënë përkrahje protestës së paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), që do të mbahet më 7 gusht, kundër Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e quajti legjitime dhe të drejtë kërkesën e organizatave të dala nga lufta. “Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit. Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë”, shkroi ai.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media të hënën, njoftoi se protesta do të mbahet në orën 17:00 para objektit të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se protesta është thirrur për shkak të “padrejtësive të Gjykatës Speciale”, “shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve” dhe, siç u shpreh, “heshtjen e institucioneve të vendit”.
Në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









