Ambasadori në largim gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Supremes duhet të zbatohen.
“Për fat të keq Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë punën në mënyrën e politikave dhe për këtë arsye nëse i vendosni në një situatë dhe pastaj e kritikoni vendimin, mendoj se kjo është më e keqja e të dy anëve”, tha Rohde për Klan Kosova.
“Nëse ua jepni vendimin sepse duhet të vendosin, mos e minoni, ose mos e nënçmoni besimin në këtë Gjykatë, sepse ky është institucioni që keni. E patë deklaratën e QUNT-it, i patë misionet e jashtme çfarë thonë dhe çfarë presin, se ju do të respektoni vendimin”.
Ai theksoi se edhe në vendet e tjera të botës ka vendime të Kushtetueses ose Supremes që nuk pëlqehen, por tha se gjithmonë zbatohen.
“A mendoni në vendet e jashtme si në ShBA apo në vendin tim që të gjithëve u pëlqejnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese ose Supreme, jo. Por, sapo të merret një vendim atëherë ai duhet të zbatohet sepse kjo është mënyra në të cilën demokracia funksionin”, potencoi.









