Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një postim në llogarinë e tij në facebook ku ka kujtuar hyrjen e trupave britanike në Kosovë në qershor të vitit 1999, ka gjetur hapsirë të komentoj vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai tha se aktgjykimet e fundit të Dhomave të Specializuara kanë të bëjnë me krime individuale ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme dhe, sipas tij, nuk përbëjnë në asnjë mënyrë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj.

“Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë, sovranitetit apo të drejtës së Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilat Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbrojë fuqishëm”, shkroi ai specifikisht.

Kjo deklaratë nuk i pëlqej aspak sekretarës së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku që i reagoi ashpër ambasadorit duke ju referuar me “Mos na qitni hi syve”.

 “Ambasadori britanik në Prishtinë, mes tjerash, paska thënë se: “Dënimet në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme.” Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale.UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, shkroi Çitaku.