“Nëse kalohet ligji [për Dhomat e Specializuara], jemi të hapur me diskutu për tema tjera. Nëse nuk kalohet ligji, nuk kemi temë më të rëndësishme se kjo”, ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.
Këto komente, Hamza i bëri në një prononcim për gazetarë teksa po hynte në Kuvend, ku do të mbahet një seancë plenare.
Sa i përket projektligjit për Dhomat e Specializuara, Hamza theksoi se ai është domosdoshmëri për PDK-në, por edhe për Kosovën.
“Jemi duke punuar, është domosdoshmëri për PDK-në, por edhe për Kosovën. Për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, është top prioritet kalimi i këtij projektligji. Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë. Jemi për drejtësi, por jemi kundër padrejtësisë”, pohoi ai.
Hamza beson se “nuk asnjë arsye që partitë e tjera politike mos ta përkrahin këtë iniciativë”.
I pyetur se çfarë ka diskutuar me Kryeministrin Albin Kurti të dielën, Hamza tregoi se kanë folur për projektligjin për Specialen, por edhe për Presidentin.
“Situata aktuale politike me prioritet projektligji për Dhomat e Specializuara, por edhe temat e tjera, duke përfshirë edhe temën e Presidentit. Po për neve, për PDK-në, ligji është pikë e parë”, potencoi kreu i PDK-së.
Kuvendi po mblidhet gati dy javë pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në rend të ditës, është edhe miratimi i një deklarate për aktgjykimin e Speciales.
Përveç kësaj, deputetët e rinj do ta bëjnë betimin, si dhe pritet që të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Kurti dhe Hamza janë takuar dy herë pas shpalljes së aktgjykimit. Fillimisht më 17 shtator dhe më 27 shtator.
Seanca e Kuvendit po mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, ndonëse konstatoi se janë shkelur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, nuk e shpalli kundërkushtetuese votimin e Qeverisë Kurti 4, dhe u dha kohë deputetëve që deri më 6 tetor ta zgjedhin Presidentin.









