“Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Kështu ka shkruar Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më datë 23 shkurt, ku e ka uruar për rizgjedhjen e tij si Kryeministër.
Macron ka thënë se shteti që ai udhëheqë është i bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe “ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane”.
“Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Letra e plotë e Macron:
I nderuar zoti Kryeministër,
Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.
Ju lutem pranoni, zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Emmanuel Macron









