Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës e Bashkimit Evropian amendamentimin e Ligjit për të Huaj me masa shtesë në hatër të banorëve serbë të Kosovës.
Figura kryesore franceze në Prishtinë ka shkruar në llogarinë e tij në “X” se ka qenë vullneti i palëve të përdshira që e ka mundësuar ato që ai i quan “zgjedhje konkrete”.
Guerot ka thënë se është e rëndësishme që vendimet e marra të mos kenë ndikim negativ në kushtetet e jetesës të serbëve në Kosovës, teksa ka përshëndetur rolin e Bashkimit Evropian në arritjen e këtij kompromisi.
“Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Guerot.
Më herët gjatë ditës, Aivo Orvan, Ambasador i BE-së në Kosovës njoftoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, ka pranuar që Ligji për të Huajt të zbatohet me “disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”.
Ligji për të Huajt dhe ai për Automjete kishte nxitur reagime të komunitetit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve politikë të Beogradit.
Kjo pasi këto ligje parashohin që personat që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi dhe automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj ose me autorizim. Kjo gjë është problematike për qytetarët serbë, dokumentet e shtetit të të cilëve nuk i njeh Kosova.
Këtë të shtunë janë njoftuar edhe protesta në pikën kufitare në Jarinje.









