I takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që të jap vlerësime rreth kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, ka thënë nga Bashkimi Evropian.

“Jemi në dijeni të votimeve të së dielës, si dhe vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjithashtu, jemi në dijeni edhe për kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. I takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për kërkesën e paraqitur”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi theksoi po ashtu se Kosovës i duhen institucione “plotësisht të konsoliduara për të çuar përpara reformat dhe për të avancuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë edhe në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.

Në vazhdimin e seancës konstituive të dielën, Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë, pasi që në atë të së premtes, Vetëvendosja nuk ia votoi kandidaten e tyre për nënkryetare, Vlora Çitakun. Ata kërkuan të ndërrohet kandidatja.

Por, një ditë më pas, VV-ja tha se do t’ia votonte, mirëpo PDK refuzoi që të marrë pjesë dhe paralajmëruan dërgimin në Kushtetuese dhe tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Çitakut deri në një vendim të këtij institucioni.

Përkundër se PDK nuk mori pjesë në seancë, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, procesoi me votimin për nënkryetarë, ku u zgjodhën Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Tanja Vujoviç e Listës Serbe dhe Emilja Rexhepi e komuniteteve joshumicë joserbe.

Ndonëse nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk u zgjodh, Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin.

Disa orë më pas, VV-ja thirri seancë për votimin e Qeverisë.

Opozita – PDK, LDK dhe Aleanca – e bojkotuan. Të pranishëm ishin deputetët e VV-së, Listës Serbe dhe ata të komuniteteve joshumicë joserbe.

Të hënën, PDK-ja e dërgoi një lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit.

Lënda në kushtetuese u dërgoi nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, dhe avokati Faton Fetahu.