Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj, ka thënë se kanë propozuar 21 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, derisa ka bërë të ditur se partia që ai drejton do të marrë pjesë në zgjedhje e vetme.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një konferencë për media pas takimit që ka pasur ai së bashku me kryetarët e partive tjera me Presidenten Vjosa Osmani, ku diskutuan për datën për zgjedhje të reja.
“Data 21 dhjetor është data e duhur, është racionale. Sido që të jetë, në cilën do datë, Aleanca është e përgatitur për këto zgjedhje. Shkojmë të vetëm në zgjedhje”, tha Haradinaj.
Ai bëri me dije se VV-ja kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Kreu i AAK-së theskoi se edhe pas këtyre zgjedhjeve “nuk do të kem tolerancë për askënd që bëhet pengesë me ecë përpara me krijimin e institucioneve”.
“Në rast se opozita e merr e besimin, që po besoj po, duhet të përshpejtojmë kohë sepse sikurse e dini situata është mjaft serioze, jo vetëm në aspektin e zbatimit të buxhetit, po ka edhe shumë tema të tjera përfshirë edhe të sigurisë që e rëndojnë rajonin, e më gjerë”, tha Haradinaj.









