Organizatori i protestës nën moton “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se protestuesit do të qëndrojnë në shesh dhe se nuk do të ketë mundësi asnjë deputet të dal nga Kuvendi pa e votuar Ligjin për Specialen në lexim të dytë.

“Ne do të qëndrojmë këtu nuk do të ketë mundësi asnjë deputet të dal pa shkel mbi trupat tanë. Nuk do të ketë mundësi asnjë deputet i asnjë partie të dal sot nga kjo sallë e Kuvendit pa shkel mbi trupat tanë. Do të shtrihemi në tokë, le të na shkelin neve e le të vazhdojnë te familjet e tyre”, ka thënë Haziri për gazetarë.

Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që të iu bashkohen në shesh dhe të mos lejojnë që të njolloset historia e Kosovës.

“Shqiptarët i ftoj të gjithë të vijnë në këtë shesh e të bëhemi bashkë e të mos lejojmë ata që janë strukur aty brenda për urdhra të partive tyre e të shefave të tyre ta njollosin historinë edhe pjesën tonë më të lavdishme të historisë tonë. Të bëhemi bashkë pa dallime partiake i ftoj të gjithë, është në pyetje Ushtria Çlirimtare, është në pyetje gjaku i Luan Haradinajt, është në pyetje gjaku i Adem Jasharit, është në pyetje gjaku i të gjithë dëshmorëve të Kosovës”.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve “mos të luajnë me gjakun e Adem Jasharit e Hamëz Jasharit e Zahir Pajazitit, mos të kushtëzojnë ligjin për UÇK-në me poste të Presidentit. Ky shesh nuk ka heshtur tash e 20 ditë. Nuk jemi këtu as duke u përballur me Policinë e as me institucionet. Jemi duke pritur përfaqësuesit tonë të votojnë ligjin për UÇK-në”.

“Sot jemi këtu në ditën e 20-të të protestës jemi në sheshin Ibrahim Rugova përballë Kuvendit të Kosovës. Po qëndrojmë tash edhe pak na bëhen 24 orë. E brenda i kemi deputetët e Parlamentit të Kosovës. Jemi bashkë me qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, po qëndrojmë me dinjitet duke kërkuar kërkesën tonë të vetme votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa politika jonë përfaqësuesit tonë kanë zgjedh të mos e kenë ligjin prioritet po me ligjin e UÇK-së të kushtëzojnë pozicionet e tyre politike”.