Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së Kosovës, derisa citoi deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, të dhënë disa muaj më parë se “kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”.
“Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës drejtësisë dhe llogaridhënies përballë çdo akti apo individi që përbën kërcënim ndaj saj”, ka thënë Hoxha në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në Prishtinë.
Hoxha theksoi se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe ai në kanalin e Ibër Lepencit “nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë”, teksa konfirmoi mbështetjen e shtetit shqiptar ndaj Kosovës.
“Kam ardhur këtu sot për të transmetuar dhe për të theksuar qartë atë që ka thënë Kryeministri Rama kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”.
Kosova, siç thotë ai, është “prioritet absolut i politikës sonë të jashtme, është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i Qeverisë shqiptare e i shtetit shqiptar”.
Ajo që ndodhë në Kosovë, kryediplomati shqiptar deklaroi se “ka rëndësi të drejtpërdrejt për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë të pandashme sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah”.
“Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri”.








