Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës duhet të ndalet, ka thënë Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi, gjatë një takimi që ka pasur me kongresistët amerikanë: Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët janë duke qëndruar për vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës, për të dëgjuar nga afër shqetësimet e shqiptarëve në Serbi.

Në takim, ku ka qenë prezent edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, Rexhepi tha se patën mundësinë t’i shtjellojnë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat tash e me dekada përballet Lugina e Preshevës.

“Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët. Kjo ishte një nga çështjet kryesore që potencuam gjatë takimit”, tregoi ai.

“Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese, ndër të tjera”, shtoi.

Në takim me kongresistët amerikanë, Rexhepi bëri me dije që e kishte ftuar edhe Teuta Fazliun, shqiptaren që iu është pasivizuar adresa në Bujanoc, e cila rastin e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut. “Kongresistët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”.

Ai theksoi se Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, “mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Për këtë, i falënderuam pa masë kongresmenët amerikanë, duke potencuar edhe një herë se shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, potencoi Rexhepi.

Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë komuniteti më i shtypur në Evropë. Atyre u mohohen të drejtat elementare.

Madje, as nuk iu lejohet përdorimi i flamurit kombëtar.

Një nga çështjet që është ngritur nga Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Evropian, është pasivizimi i adresave që shteti serb ua bën shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.