Procesi i transferimit të të burgosurve që ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka filluar. Kjo për t’i hapur rrugë zbatimit të Marrëveshjes me Danimarkën për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.
Kështu ka bërë të ditur Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila tha se për këtë çështje është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Transformimi i të burgosurve aktualë në burgun e Gjilanit po bëhet në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.
“Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftimin e OAK-ut .
Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës i njofton të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre, para ndërmarrjes së vizitave apo veprimeve procedurale.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit ishte arritur në vitin 2022 dhe ishte ratifikuar në Kuvend në maj të vitit 2024.
Marrëveshja është paraparë që të jetë 10 vjeçare. Sipas saj, Danimarka planifikon që të marrë me qira 300 qeli burgu në Gjilan. Nga ana tjetër, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.
Në bazë të marrëveshjes, të burgosurit që do të transferohen nga Danimarka për në burgun e Gjilanit në Kosovë, nuk duhet të jenë të dënuar për krime të rënda, mbi 10 vjet dhe të mos kenë probleme mendore.









