Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur se synon të marrë 60% të votave në zgjedhjet e ardhshme.

Ai, në një intervistë në emisionin “Interaktiv”, tha se opozitës i duhet edhe një humbje tjetër.

“Nëse nuk mjafton 51%, ndoshta iu dalin boll 60%. Unë nuk kam nevojë për një fitore të re, por duket se blloku opozitar ka nevojë për një humbje të re”, deklaroi Kurti.

I pyetur nëse një përqindje kaq e lartë e votave për një parti politike e dëmton demokracinë, ai u përgjigj se, sipas tij, veprimet e opozitës e dëmtojnë më shumë shtetin.

Kurti tha se nuk e vlerëson dhe as e respekton aktgjykimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i cili përcakton numrin e deputetëve që duhet të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e presidentit, por shtoi se atë e zbatojnë.

“Nuk jam i sigurt që Kushtetuta e thotë këtë…”, u shpreh ndër të tjera Kurti.