Disa pyetje për ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, për një deklaratë të tij rreth Gjykatës Speciale, të dhënë në RTK.
Aty ai tha se i përcjellin procedurat në këtë gjykatë dhe kërkoi që në rastin kundër krerëve të UÇK-së të respektohet verdikti, çfarëdo qoftë ai.
VOX Kosova i dërgoi ambasadorit disa pyetje, por krejt çka mori si përgjigje ishte një qëndrim i njëjtë si ai i dhënë në televizionin publik.
Meqë ai nuk pati përgjigje, le t’i shtrojmë këto pyetje publikisht, që ai dhe ambasadorët tjerë të vendeve të BE-së të kuptojnë ndoshta se procesi në Hagë nuk është vetëm sipas pikturës së prokurorisë.
Kur ambasadori thotë se Kosova duhet ta respektojë verdiktin, çfarë ka në mendje ai?
A është kjo një përpjekje e tij për ta përgatitur opinionin për një vendim që është paracaktuar?
A është demokratike që ish-kryeprokurori Jack Smith, para ambasadorëve të BE-së dhe presidentes së gjykatës, Ekaterina Trendafilova, para se të niste procesi, në dhjetor 2020, të thoshte se krerët e UÇK-së do të dënohen me burgim të përjetshëm dhe askush prezent në atë takim, as ambasadorët e as Trendafilova, nuk reagoi?
A i duket e drejtë atij që procesi ka hyrë në vitin e gjashtë, përkundër faktit se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon një gjykim brenda një afati sa më të arsyeshëm kohor?
Çfarë drejtësie është kjo dhe çfarë gjykimi pret ambasadori kur rreth 80% e seancave dhe provave kanë qenë të mbyllura për publikun?
A është gjykim i paanshëm kur gjyqtarët bëjnë pyetje orientuese, hipotetike e spekuluese, dhe a i ka parë ambasadori shkresat e mbrojtjes, teksa ankohen se kjo metodë përbën shkelje të së drejtës për gjykim të paanshëm?
Cila ushtri tjetër në botë, e organizuar apo guerile, ka kaluar si UÇK-ja në gjashtë rrathë të drejtësisë: UNMIK-u, EULEX-i, gjykatat vendore, gjykatat serbe, Tribunali për ish-Jugosllavinë dhe tash Dhomat e Specializuara?
Çfarë drejtësie është ajo kur një pjesë e madhe e provave janë marrë nga Serbia, pa asnjë proces verifikimi e filtrimi, ato nuk kanë as vulë, as nënshkrim, as data, dhe dihet botërisht se ky shtet ka fabrikuar raste kundër UÇK-së?
Nëse ambasadori kërkon të respektohet kjo gjykatë, pse gjykata nuk respekton simbolet e shtetit dhe nuk u beson institucioneve të Kosovës, duke mos marrë fare parasysh garancitë për mbrojtje në liri?
A është e drejtë të mbahesh në paraburgim gati 6 vjet pa një verdikt?
Çfarë gjykate është kjo, që nuk mbikëqyret nga askush?
Kush merr përgjegjësi për një proces që u zhvillua në tokën e Evropës, me mbështetjen politike e financiare të saj, dhe prodhoi kaq shumë shqetësime për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut?
Kosova ka respektuar çdo shkallë të drejtësisë ndërkombëtare e vendore për krimet e luftës. E ka respektuar dikur edhe këtë gjykatë.
Por kjo gjykatë, vetë Bashkimi Evropian, nuk e ka respektuar Kosovën dhe drejtësinë, sepse pështyu mbi besimin e qytetarëve se do të zbatoheshin standardet më të larta të drejtësisë.
Prandaj, cilido që të jetë verdikti, nuk e mbulon turpin për cenimin e të drejtave të njeriut, përndjekjen politike dhe shkelmimin e parimeve themelore të drejtësisë.








