Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, gjatë intervistimit të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, ia ka bërë disa pyetje komplet jashtë temës dhe tendencioze.
Njëra nga pyetjet e Balokut për Muhaxherin ishte se “çfarë ka ndodhur në incidentin kur ju dhe një qytetar tjetër jeni parë duke u përleshur”.
Ndonëse çështja ishte për rastin e Arlinda Zekajt, Baloku solli në Komision rastin ku Muhaxheri ishte sulmuar fizikisht nga dy persona më 26 tetor 2024, në Pejë.
Pas kësaj, disa anëtarë të komisionit ia kujtuan Balokut se kjo është “jashtë teme”. Dhe më pas, Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti se cila është relevanca për qëllimin e hetimit?
Baloku u përgjigj se “mësojmë nga ky rast për ta kuptuar edhe këtë rastin tjetër se mos ka pasë ndonjë ndërhyrje”.
Muhaxheri nuk u përgjigj në pyetje për shkak se tha se është jashtë teme, ndërsa Baloku vazhdoi me pyetje tendencioze.
Muhaxheri në fund tha se “njerëzve po ju vijnë pyetjet me SMS prej dikujt tjetër, e ato nuk është mirë me u adresu”.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj më sëpatë. Ajo kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga shteti dhe e kishte paralajmëruar se mund të vritej, por shteti dështoi që ta mbrojë.









