Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka kërkuar llogari shefes së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali, në lidhje me komunikimet e saja në Whatsapp me ish-Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, me të cilin kurdisnin tenderë të Korporatës Energjetike të Kosovës. Rama, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, thotë se Mihali, gjithashtu duhet të tregojë pse është ftuar në Prokurori për skandalin me rrymë të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe pagesave të marra nga GEN-i serb.
“Pse emni yt përmendet në hetimet me rastin e rezervave shtetnore? Keni vjedh në grunë edhe në vaj. Imagjino!”, ka pyetur Rama, Mihalin.
“Sa për informatë, trami elektrik nuk ka “viza”. Ata me “viza” janë në Rusi. Në Perëndim janë elektrikë. Mos e ki të ndalume hyrjen në Evropë, çysh e ke pas të ndalume dikur në Kosovë?”, shton.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se do t’i bllokojë autobusët dhe tramin Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili njoftoi të mërkurën për realizimin e zotimit për të sjellë autobusë të rinj elektrikë dhe tram në kryeqytet.
“Ofrimi i shërbimeve publike siç është transporti publik, mund të bëhet edhe përmes operatorëve privatë siç po dëshiron ta bëjë Komuna e Prishtinës, mirëpo kjo gjë duhet të bëhet sipas procedurave që parashihen në Ligjin për Partneritet Publiko Privat, për t’u siguruar se paraja publike nuk keqpërdoret”, shkroi Murati në Facebook.
Rama prezantoi të mërkurën tramin dhe autobusët elektrikë. “Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram”, shkroi Rama në Facebook, derisa publikoi fotografi se si do të duken autobusët e rinj në kryeqytet.









