“Si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?”, ka pyetur Bujar Osmani, ish-Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Këtë pyetje, Osmani ia bëri Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, pasi që në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, thuhet se Shkupi po ekspozohet ndaj ndikimeve dhe narrativës së ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Ai përmendi faktin se Kurti e ka mbështetur ndryshimin e pushtetit në Maqedoni të Veriut, duke u pozicionuar hapur me VLEN-in, të cilët, me mbështetje të Kurtit u bën pjesë e Qeverisë së Hristjan Mickoski-t edhe pse humbën zgjedhjet në kampin shqiptar përballë Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.
Por, tani kur Parlamenti Evropian jep konkluza të tilla për afrimin e RMV-së me Serbinë, Kurti nuk reagon.
“Kur Albin Kurti mbështeste ndryshimin e pushtetit në Shkup, e paraqiste atë si fitore të politikës së re ndaj establishmentit të vjetër. Sot, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin se Maqedonia e Veriut po afrohet gjithnjë e më shumë me qeverinë e Serbisë, po ekspozohet ndaj ndikimeve ruse dhe ndaj narrativave të ashtuquajturës ‘Bota Serbe’”, shkroi Osmani në Facebook.
Paradoksi, sipas tij, “është i qartë”.
“Nuk e di se e ka pasur Albin Kurti ndonjëherë qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon. Por politika nuk matet vetëm me qëllime. Politika matet me pasoja”, shtoi ai.
Për dekada me radhë, ish-kryediplomati i RMV-së thekson se “shqiptarët në rajon kanë ndarë disa prioritete të përbashkëta strategjike: integrimin euroatlantik, partneritetin me SHBA-të, orientimin drejt BE-së dhe rezistencën ndaj projekteve që cenojnë sovranitetin e shteteve të Ballkanit”.
“Kur interesat partiake fillojnë të zëvendësojnë këto prioritete strategjike, humbës nuk janë kundërshtarët politikë. Humbës bëhen interesat kombëtare”, konsideron ai.
Prandaj, konsideron ai se pyetja nuk është pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është: “a do të ketë dikush guximin të shpjegojë se si përfunduam këtu?”.
Në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ndër të tjera, thuhet se i vërejnë me shqetësim “lidhjet gjithnjë e më të forta” ndërmjet RMV-së dhe Qeverisë së Serbisë, “e cila ndjek një agjendë joliberale…”.
Parlamenti Evropian kërkon gjithashtu që BE-ja të ketë vëmendje “kundër ndikimit ekonomik dhe politik në rritje të Kinës në rajon, veçanërisht përmes projekteve infrastrukturore dhe huadhënies”.
Parlamenti Evropian “vëren, me shqetësim të barabartë, raportet për përpjekjet e Rusisë për të projektuar ndikim në Maqedoninë e Veriut” dhe bën thirrje që BE-ja të mbështesë Maqedoninë e Veriut në forcimin e rezistencës “ndaj ndikimeve të jashtme të ushtruara përmes rrjeteve fetare; shpreh shqetësim për narrativat e promovuara në rajon që vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve, përfshirë të ashtuquajturin ‘Bota Serbe’”.









