Një strategji paksa e çuditshme e Prokurorisë Speciale në Hagë, në procesin kundër krerëve të UÇK-së, ka ndodhur këto javë teksa janë paraqitur dëshmitarët e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Asnjë prokuror amerikan nuk ka marrë në pyetje dëshmitarët amerikanë, ish-zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ambasadorë dhe zyrtarë të NATO-s.

Vetëm në rastin kur po dëshmonte një britanik, një prokuror nga Amerika ka marrë detyrën për të bërë pyetje.

Ish-zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, James Rubin dwshmoi i pari. Pas tij amerikani Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Të dy u morën në pyetje nga James Pace, prokuror nga Malta.

I treti ishte britaniku John Duncan, ish-këshilltar i Wesley Clark. Ai u mor në pyetje nga një prokuror amerikan, Matt Halling.

Një amerikan tjetër u paraqit si dëshmitar, Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001. Ai u mor në pyetje nga prokurorja Vega Iodice nga Evropa.

Ish-emisari special amerikan për Kosovë gjatë kohës së luftës, Christopher Hill, u pyet nga prokurori maltez, James Pace.

Ndërkaq, një tjetër amerikan, Michael Durkee, që ishte po ashtu këshilltar i Wesley Clark, u mor në pyetje nga prokurorja italiane, Silvia D’Ascoli.

 Vox Kosova ka pyetur prokurorinë në Hagë se pse ka ndodhur kjo, por nuk ka marrë përgjigje.

Në rastin e James Rubin dhe Christopher Hill, prezent në sallë ishin edhe zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Holandë.

Seancat dëgjimore në procesin kundër krerëve të UÇK-së përfundojnë javën tjetër me paraqitjen e gjeneralit, ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark.

Prokuroria në Hagë drejtohet kryesisht nga amerikanët. Kimberly West, kryeprokurore aktuale është amerikane. Edhe ata para saj ishin amerikanë. Alan Tieger, që është po ashtu i lartë në hierarki të prokurorisë, është amerikan. Matt Halling, prokuror, vjen nga Amerika.

Pjesa më e madhe e stafit të prokurorisë janë që nga koha e Jack Smith, ish-kryeprokurorit kontravers që ndoqi penalisht edhe tash presidentin amerikan, Donald Trump. Këtë ai akuzohet se e bëri për llogari politike të ish-presidentit, Joe Biden.

Smith është vënë nën shënjestër të administratës së re, pasi hetimet nga FBI tregojnë se ai ka përgjuar bisedat private të shumë senatorëve.