Vizita e parë e liderit kinez Xi Jinping në Korenë e Veriut pas shtatë vitesh nuk ishte thjesht e mbushur me retorikë për lidhjet historike mes Kinës dhe aleatit të saj të vetëm formal me traktat.
Përkundrazi, vizita dyditore shtetërore ishte një mundësi që Xi të shpaloste vizionin e tij për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kinës dhe fqinjit të saj të armatosur me armë bërthamore, në një periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.
“Përballë ndryshimeve të thella që nuk janë parë në një shekull, të dyja palët duhet të hapin perspektiva më të ndritshme për kauzën socialiste të dy vendeve, si dhe për paqen dhe zhvillimin rajonal”, i tha Xi liderit koreano-verior Kim Jong Un gjatë bisedimeve në Phenian.
Për ta arritur këtë, Kina është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin në tregti, bujqësi, ndërtim, shkencë, teknologji dhe shëndetësi, të forcojë koordinimin strategjik dhe të thellojë shkëmbimet ushtarake, diplomatike dhe ato në fushën e zbatimit të ligjit.
Ky është një vizion më konkret sesa ai që Xi kishte paraqitur gjatë vizitës së fundit në Phenian në vitin 2019.
Një detaj i rëndësishëm ishte mungesa e referencës ndaj “çarmatimit bërthamor të Gadishullit Korean”, një shprehje që Xi e kishte përdorur shtatë vite më parë.
Kjo mund të konsiderohet një fitore për Kim Jong Unin.
Nën udhëheqjen e tij, Koreja e Veriut ka vazhduar të zgjerojë programin bërthamor në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2023, vendi madje e përfshiu në kushtetutë politikën e zhvillimit të armëve bërthamore.
Ky ndryshim pasqyron edhe mënyrën se si Pekini po e përshtat diplomacinë e tij me një botë shumë më ndryshe nga ajo e vitit 2019 – një botë ku Kina është në konkurrencë strategjike me SHBA-në dhe ku Pheniani ka afruar ndjeshëm marrëdhëniet me Moskën.
Një shfaqje diplomatike
Vizita e Xi-t vjen në një kohë kur ndikimi ndërkombëtar i Kinës është në rritje.
Gjatë këtij viti, një numër i madh liderësh botërorë kanë vizituar Pekinin. Në një periudhë të shkurtër, Xi priti si presidentin amerikan ashtu edhe atë rus në vizita shtetërore – diçka që pak liderë në botë mund ta realizonin.
Për Pekinin, vizita në Korenë e Veriut është një tjetër mundësi për të treguar se Kina është një fuqi globale e aftë të komunikojë me liderë shumë të ndryshëm, nga kreu i demokracisë më të fuqishme në botë deri te udhëheqësi autoritar i një shteti të izoluar dhe të sanksionuar.
Ekspertët vlerësojnë se thirrjet e Kinës për forcimin e bashkëpunimit diplomatik, ushtarak dhe të sigurisë me Phenianin tregojnë dëshirën e Pekinit për ta përfshirë më aktivisht Korenë e Veriut në bllokun ekonomik dhe të sigurisë që Kina synon të ndërtojë dhe udhëheqë.
Kjo gjithashtu i mundëson Kinës t’u tregojë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre se ende ka ndikim të konsiderueshëm mbi Korenë e Veriut.
Donald Trump ka shprehur vazhdimisht interesim për rifillimin e dialogut me Kim Jong Unin, pasi përpjekja e tij gjatë mandatit të parë për të çmontuar programin bërthamor koreano-verior dështoi.
Megjithatë, Kina aktualisht nuk duket e interesuar të ushtrojë presion mbi Kim Jong Unin që të heqë dorë nga armët bërthamore.
Sipas ekspertëve, Xi Jinping sot sheh më shumë rrezik në ushtrimin e presionit ndaj Koresë së Veriut sesa në lejimin e vazhdimit të politikës aktuale të saj.
Megjithatë, afërsia me Phenianin i jep Kinës më shumë karta në negociatat dhe rivalitetin strategjik me SHBA-në.
Xi e ka zgjedhur pikërisht Korenë e Veriut për vizitën e tij të parë jashtë vendit këtë vit, një gjest që Kim Jong Un e përshëndeti si dëshmi të rëndësisë që Pekini i kushton miqësisë mes dy vendeve.
Kina ka qenë prej kohësh mbështetësi kryesor ekonomik dhe diplomatik i Koresë së Veriut. Të dy vendet e përshkruajnë marrëdhënien e tyre si një aleancë “të farkëtuar në gjak”, që nga koha kur luftuan së bashku në Luftën Koreane.
Megjithatë, pas retorikës së ngrohtë qëndron edhe një interes i qartë strategjik: Pekini dëshiron të sigurohet se ndikimi i tij mbi fqinjin e paparashikueshëm nuk do të zbehet.
Kjo pasi vitet e fundit marrëdhëniet mes Phenianit dhe Moskës janë afruar ndjeshëm.
Në vitin 2024, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin nënshkruan një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë, ndërsa Koreja e Veriut ka dërguar mijëra ushtarë dhe sasi të mëdha municionesh për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë.
Analistët e shohin vizitën e Xi Jinping si një përpjekje të qartë të Kinës për të riafirmuar pozicionin e saj si partneri kryesor strategjik i Koresë së Veriut.
Disa ekspertë madje vlerësojnë se deklaratat e Xi-t për forcimin e shkëmbimeve ushtarake mund të sinjalizojnë një zhvendosje të rëndësishme nga politika tradicionale kineze e mbështetjes së çarmatimit bërthamor në Gadishullin Korean.
Sipas tyre, kjo mund të nënkuptojë një afrim të ri të sigurisë mes Kinës dhe Koresë së Veriut, me qëllim kundërbalancimin e Koresë së Jugut, SHBA-së dhe Japonisë, ndërsa në heshtje pranohet statusi i Phenianit si fuqi bërthamore.
Megjithatë, analistët theksojnë se vizita e Xi Jinping nuk përbën një mbështetje të pakushtëzuar për Kim Jong Unin.
Pekini pret që Pheniani të respektojë interesat kineze dhe të shmangë politika që mund të destabilizojnë rajonin.
“Vizita e Xi-t është një përqafim strategjik për Kim Jong Unin, por jo një çek i bardhë për Korenë e Veriut”, vlerësojnë ekspertët.









